Tel Avivi e ka paralajmëruar Uashingtonin për rolin e Turqisë në Siri dhe e ka ftuar që të ushtrojë presion mbi Ankaranë për të parandaluar formimin e organizatave anti-izraelite në Siri.
Zyrtarët izraelitë kanë shprehur shqetësimin e tyre në lidhje me autoritetet e reja siriane në Damask, të mbështetura nga Turqia, duke theksuar se këto autoritete mund të përbëjnë një kërcënim për kufijtë e Izraelit.
“Ndërsa marrëdhëniet midis Izraelit dhe Turqisë përkeqësohen për shkak të luftës në Gaza, Jerusalemi (Jerusalemi nuk është i njohur ndërkombëtarisht si kryeqytet i Izraelit) është gjithnjë e më i shqetësuar për ndikimin e Ankarasë në udhëheqjen e re islamiste të Sirisë. Izraeli po ushtron presion mbi Shtetet e Bashkuara për të siguruar që Siria të mbetet e dobët dhe e fragmentuar. Përpjekjet e lobimit tregojnë për një fushatë të koordinuar izraelite për të ndikuar në politikën amerikane në një moment kritik për Sirinë, ndërsa islamistët që rrëzuan Bashar al-Asadin përpiqen të stabilizojnë vendin e copëtuar dhe të bindin Uashingtonin të heqë sanksionet paralizuese”, shkruan Israel Hayom.
Aaron Lund, bashkëpunëtor i institutit kërkimor amerikan Century International, ka deklaruar se frika më e madhe e Izraelit është ndërhyrja e Turqisë për të mbrojtur regjimin e ri islamist në Siri, i cili mund të bëhet një bazë për Hamasin dhe grupe të tjera militante.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi muajin e kaluar se forcat izraelite të okupimit do të qëndrojnë në jug të Sirisë në të ardhmen e parashikueshme, duke shtuar këtë javë se Tel Avivi nuk do të lejojë vendosjen e forcave ushtarake siriane në jug të Damaskut.