Izraeli: Marrëveshja mbi programin bërthamor e negociuar me Iranin është e keqe

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Benny Gantz: “Ne jemi kundër kësaj marrëveshjeje. Është një marrëveshje e keqe në fushën e armëve bërthamore, aftësive bërthamore dhe kapacitetit të pasurimit”

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Benny Gantz, deklaroi se marrëveshja për programin bërthamor të Teheranit e negociuar nga aktorët ndërkombëtarë me Iranin është “e keqe dhe Tel Avivi e kundërshton një marrëveshje të tillë”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke folur për Korporatën e Transmetimeve Publike izraelite KAN, Gantz deklaroi se këtë çështje e kanë diskutuar gjatë vizitës së presidentit të SHBA-së, Joe Biden, në Izrael në korrik dhe se presidenti Biden u ka premtuar atyre se Irani nuk do të ketë armë bërthamore.

Gantz duke thënë se ai nuk ishte i sigurt se marrëveshja në formën e saj aktuale mund të përmbushte atë premtim ai më tej tha: “Ne jemi kundër kësaj marrëveshjeje. Është një marrëveshje e keqe në fushat e armëve bërthamore, aftësive bërthamore dhe kapacitetit të pasurimit”.

Nga ana tjetër, kryetari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Izraelit, Eyal Hulata, thuhet se shkoi në Washington për t’i përcjellë rezervat e vendit të tij në lidhje me marrëveshjen mbi programin bërthamor të negociuar me Iranin tek homologu i tij amerikan, Jake Sullivan.

Sipas faqes së lajmeve izraelite, Walla, SHBA-ja kohët e fundit është përpjekur të sigurojnë Izraelin se, “marrëveshja nuk është e afërt dhe se nuk do t’i bëhen lëshime të mëtejshme Teheranit”.

“Tension” në marrëdhëniet izraelito-egjiptiane

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Gantz, theksoi gjithashtu se kishte një “tension” në marrëdhëniet me Egjiptin pas sulmeve treditore të Izraelit në Rripin e Gazës, duke shtuar se “mund të ketë luhatje në marrëdhëniet midis vendeve dhe se ai shpreson se kriza do të kalohet në ditët në vijim”.

Gantz foli gjithashtu edhe për politikat e Izraelit në territoret palestineze dhe opsionet e zgjidhjes për çështjen palestineze.

“Ne duhet të parandalojmë krijimin e një shteti binacional midis detit dhe lumit. Në Izrael, të djathtët dhe të majtët janë të iluzionuar nga pikëpamjet e tyre ekstreme. Majtistët që mendojnë një zgjidhje me dy shtete jetojnë në ëndrra. Kurse të djathtët të cilët imagjinojnë një shtet pa praninë e arabëve po mashtrojnë veten e tyre”, tha ai.

Sipas raporteve të publikuara në Izrael dhe në mediat ndërkombëtare, pas sulmeve të fundit të Izraelit në Rripin e Gazës, Egjipti kërkoi uljen e tensionit në Bregun Perëndimor, por pasi qeveria e Tel Avivit shpërfilli kërkesën e Kajros, pati një krizë politike mes dy vendeve.

Shefi i Shërbimit të Inteligjencës së Brendshme të Izraelit, Shin-Bet (Shabak), Ronen Bar, kishte shkuar dje në Egjipt për të zbutur krizën politike midis Tel Avivit dhe Kajros.

Sulmi izraelit në Gaza

Të premten, më 5 gusht, ushtria izraelite nisi sulmet në disa pika në Rripin e Gazës që pretendonte se i përkisnin Lëvizjes Xhihadi Islamik.

Në sulmet që zgjatën për tre ditë, humbën jetën 49 palestinezë, mes të cilëve gra dhe fëmijë. Po ashtu qindra raketa u hodhën nga Gaza në drejtim të Izraelit, por nuk pati humbje jetësh në Izrael.

Më 7 gusht, me ndërmjetësimin e Egjiptit u arrit një armëpushim ndërmjet palëve.

Kategoritë
BotaLajme