“Izraeli mban 270 fëmijë palestinezë në burgje në kushte të vështira”

Komisioni i Çështjeve të të Burgosurve tha se kjo shifër nuk përfshin të miturit e ndaluar nga ushtria izraelite në Rripin e Gazës

Rreth 270 fëmijë palestinezë po mbahen në burgjet izraelite në mes të kushteve të vështira, tha sot një komision palestinez i të burgosurve, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë me rastin e Ditës Botërore të Fëmijëve, Komisioni i Çështjeve të të Burgosurve tha se kjo shifër nuk përfshin të miturit e ndaluar nga ushtria izraelite në Rripin e Gazës.

“Pushtuesi vazhdon të mbajë jo më pak se 270 fëmijë, të cilët mbahen kryesisht në burgjet Ofer dhe Megiddo, përveç kampeve të krijuara nga ushtria okupuese pas luftës së Gazës”, shtoi ai.

Komisioni tha se ka dokumentuar dëshmi rreth abuzimeve izraelite ndaj fëmijëve palestinezë nga ana e rojeve të burgjeve.

“Krime sistematike po kryhen nga administrata e burgjeve ndaj fëmijëve të burgosur, përveç rrahjeve, torturave dhe abuzimeve të përditshme”, thuhet në deklaratë.

Më 7 nëntor, Knesseti (parlamenti) izraelit miratoi një ligj që autorizon ndalimin e të miturve palestinezë nën 14 vjeç.

Legjislacioni, një masë e përkohshme pesëvjeçare, lejon gjykatat të urdhërojnë ndalimin e fëmijëve nën 14 vjeç në ambiente të mbyllura nëse dënohen për vrasje që përfshin “terrorizëm ose aktivitete terroriste”.

Sipas vendimit, pasi të mbushë 14 vjeç, fëmija do të vazhdojë të vuajë dënimin në burg.

Sipas shifrave palestineze, mbi 11.700 palestinezë janë arrestuar nga ushtria izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar që nga tetori i vitit të kaluar, përfshirë ata që u liruan pasi u arrestuan.

Shifra, megjithatë, nuk përfshin të arrestuarit nga Rripi i Gazës, numri i të cilëve vlerësohet të jetë në mijëra.

Tensionet janë rritur në Bregun Perëndimor të pushtuar për shkak të luftës brutale të Izraelit në Rripin e Gazës, e cila ka vrarë rreth 44 mijë njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, pas një sulmi të Hamasit vitin e kaluar.

Përpos kësaj, 785 palestinezë, duke përfshirë të paktën 165 fëmijë, janë vrarë që atëherë dhe mbi 6.400 të tjerë janë plagosur nga zjarri i ushtrisë izraelite në Bregun Perëndimor, sipas Ministrisë së Shëndetësisë.

Kategoritë
BotaLajme