Izraeli ndalon festimet për palestinezët pas lirimit të të burgosurve

Shërbimi i burgjeve izraelite deklaron se po ndërmerr masa për të parandaluar çdo “shfaqje publike të gëzimit” kur të burgosurit palestinezë të lirohen si pjesë e marrëveshjes për armëpushim në Gaza.

Në deklaratë thuhet se po përgatitet lirimi i të burgosurve në këmbim të të zënëve izraelitë të mbajtur në Gaza, për të cilët Zyra e Kryeministrit tha se mund të fillojë të dielën.

Shërbimi i burgjeve bën me dije se dy burgje, një pranë Jerusalemit dhe një tjetër pranë qytetit jugor Ashkelon, kanë nisur përgatitjet për lirimin duke mbledhur të burgosurit që do të lirohen.

“Komisioneri i Shërbimit të Burgjeve të Izraelit, Kobi Yakobi, ka dhënë udhëzime për të parandaluar çdo shfaqje publike të gëzimit në Ashkelon dhe zona të tjera të Izraelit. Transporti nga burgu ‘Shikma’ nuk do të realizohet me autobusa civilë të Kryqit të Kuq,” thuhet në deklaratë.

Kryqi i Kuq me seli në Gjenevë mbikëqyri të vetmen shkëmbim të të burgosurve gjatë luftës, në nëntor 2023, kur u liruan 105 të zënë të mbajtur në Gaza, ndër ta 80 izraelitë, në këmbim të 240 të burgosurve palestinezë.

Transporti kësaj here do të kryhet nga “njësi të specializuara” të shërbimit të burgjeve, thuhet më tej në deklaratë.

Yakobi u ka kërkuar gjithashtu të burgosurve të parashikuar për t’u liruar që të “përmbahen nga shfaqjet e gëzimit brenda Izraelit”.

Kategoritë
BotaLajme