Turqia ka filluar përpjekjet për të marrë kontrollin mbi bazën ajrore siriane Tiyas, e njohur gjithashtu si T4, dhe po përgatitet të vendosë aty sisteme të mbrojtjes kundërajrore, kanë thënë për Middle East Eye burime të njohura me këtë çështje.
Ankara dhe Damasku janë duke negociuar për një pakt mbrojtës që nga dhjetori, pas rrëzimit të Bashar al-Asadit. Sipas marrëveshjes, Turqia do të siguronte mbrojtje ajrore dhe ushtarake për qeverinë e re siriane, e cila aktualisht nuk ka një ushtri funksionale.
Megjithëse zyrtarët turq më parë kishin minimizuar mundësinë e një pranie ushtarake në Siri, duke i përshkruar këto plane si të parakohshme, negociatat kanë vazhduar në heshtje.
Ndërsa Izraeli e sheh praninë ushtarake turke në Siri si një kërcënim potencial, qëllimi i Ankarasë është të stabilizojë vendin duke forcuar kapacitetet e saj ushtarake dhe duke mbushur vakumin e pushtetit të lënë nga tërheqja e Rusisë dhe Iranit.
Turqia gjithashtu synon të intensifikojë luftën e saj kundër grupit Shteti Islamik (ISIS), që është një kusht kyç për Shtetet e Bashkuara që të shqyrtojnë tërheqjen nga rajoni.
Një burim i afërt me çështjen i tha MEE se Turqia ka filluar të marrë kontrollin e bazës ajrore T4, e cila ndodhet pranë Palmiras në Sirinë qendrore.
“Sistemi turk kundërajror i tipit Hisar do të vendoset në T4 për të siguruar mbrojtje ajrore për bazën. Pasi të instalohet sistemi, baza do të rindërtohet dhe zgjerohet me objektet e nevojshme. Ankara gjithashtu planifikon të vendosë dronë vëzhgues dhe luftarakë, përfshirë ata me kapacitete të avancuara goditëse”, tha burimi.
Ai shtoi se baza do të ndihmojë Turqinë të vendosë kontroll ajror mbi të gjithë rajonin dhe të mbështesë përpjekjet e saj kundër ISIS-it, i cili ende ka celula aktive në shkretëtirën siriane.
Ankara në fund synon të vendosë sisteme të shtresuara të mbrojtjes kundërajrore në dhe rreth bazës, me kapacitete për t’u mbrojtur nga kërcënime të ndryshme – që nga avionët luftarakë e deri te dronët dhe raketat.
Një tjetër burim vërejti se prania e sistemeve turke të mbrojtjes ajrore dhe e dronëve ndoshta do ta pengojë Izraelin nga nisja e sulmeve ajrore në atë zonë.
Izraeli ka goditur rregullisht objektet ushtarake siriane që nga rënia e qeverisë së Asadit në dhjetor, me një rritje të fundit të operacioneve rreth T4. Javën e kaluar, forcat ajrore izraelite sulmuan T4 dhe bazën ajrore të Palmiras, duke goditur pistat dhe objektiva strategjike.
Një burim izraelit i sigurisë i tha mediave të hënën se çdo bazë ajrore turke në Siri do të minonte lirinë e veprimit të Izraelit në ajër.
“Kjo është një kërcënim potencial të cilit po i kundërvihemi”, tha ai.
Rënia e regjimit të Asadit dhe shfaqja e Turqisë si fuqia dominuese në Siri ka alarmuar më tej Izraelin, i cili tani e sheh Ankaranë si një kërcënim më të madh në rajon sesa Iranin.
“Kemi goditur kohët e fundit bazën ushtarake T4 për të dërguar një mesazh: nuk do të lejojmë asnjë kërcënim ndaj lirisë sonë operacionale në ajër”, tha një tjetër burim izraelit për Jerusalem Post.
Burimi i parë i MEE gjithashtu zbuloi se Ankara po shqyrton mundësinë e vendosjes së përkohshme të sistemit rus S-400 në T4 ose në Palmira, për të siguruar hapësirën ajrore gjatë punimeve të rindërtimit. Megjithatë, vendimi përfundimtar nuk është marrë ende dhe kërkohet miratimi i Rusisë.
Ndërkohë, Ankara dhe Uashingtoni kanë diskutuar për heqjen e sanksioneve të vendosura ndaj Turqisë për shkak të blerjes së sistemit rus S-400, çka solli përjashtimin e saj nga programi i avionëve luftarakë F-35 në vitin 2019./Gazetaere