Izraeli nënshkruan marrëveshje të armëve prej 3 miliardë dollarësh që nga pakti i normalizimit

Ganzt tha se personeli i Ministrisë së Mbrojtjes së Izraelit mbajti rreth 150 takime me “homologët e tyre në vendet e rajonit, duke përjashtuar Egjiptin dhe Jordaninë”

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Benny Gantz, ka deklaruar se Izraeli ka nënshkruar marrëveshje të armëve me vlerë mbi 3 miliardë dollarë me vendet në rajon që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Abrahamit në vitin 2020 me vendet arabe, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas gazetës ‘Haaretz’, Ganzt tha se personeli i Ministrisë së Mbrojtjes së Izraelit mbajti rreth 150 takime me “homologët e tyre në vendet e rajonit, duke përjashtuar Egjiptin dhe Jordaninë”.

Megjithatë, nuk u përmendën emrat e vendeve që nënshkruan marrëveshjet e armëve apo që mbajtën takime të sigurisë me Izraelin.

Ndërkohë, Gantz bëri thirrje për rritjen e bashkëpunimit rajonal kundër Iranit para vizitës së presidentit të SHBA-së, Joe Biden. Ai tha se vizita e presidentit amerikan dërgon një mesazh të fortë për armiqtë e Izraelit dhe “forcon pozicionin e Izraelit”.

Në vitin 2020, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini, Maroku dhe Sudani nënshkruan marrëveshje të sponsorizuara nga SHBA-ja për të normalizuar marrëdhëniet me Izraelin, të cilat u quajtën “Marrëveshjet e Abrahamit”.

Marrëveshjet kanë shkaktuar kundërshtime të gjera nga palestinezët, të cilët thonë se marrëveshjet injorojnë të drejtat e tyre dhe nuk i shërbejnë kauzës palestineze.

Kategoritë
BotaLajme