Sulmet izraelite shkaktuan emetimin e 420.652 tonë ekuivalent të dioksidit të karbonit në periudhën e parë 120-ditore, përfshirë shkurtin e vitit 2024, shifër e cila korrespondon me më shumë se emetimet vjetore të karbonit të 26 vendeve dhe rajoneve
Përderisa nesër mbushet plotë një vit që Izraeli vazhdon pandërprerë sulmet në Gaza, kjo në territorin e bllokuar palestinez ka shkaktuar një krizë humanitare dhe një shkatërrim të madh mjedisor me shumë metodat që ka përdorur në këtë proces, veçanërisht me përdorimin e bombave me fosfor të bardhë, shkruan Anadolu.
Sulmet e nisura nga Izraeli në Gaza më 7 tetor të vitit 2023 kanë shkaktuar vdekjen e më shumë se 40 mijë njerëzve dhe plagosjen e rreth 100 mijë të tjerëve, ndërkohë mijëra njerëz janë zhvendosur dhe janë detyruar të jetojnë në tenda të ngritura nga organizatat e ndihmës ose në shkolla e spitale të shndërruara në qendra strehimi.
Krahas krizës humanitare, bombardimet kanë lënë pas shkatërrime të mëdha mjedisore.
Në ditën e 200-të të sulmeve izraelite, zyra për media e qeverisë në Gaza njoftoi se 75 mijë tonë bomba ishin hedhur në Gaza nga Izraeli. Kjo është afërsisht gjashtë herë më shumë sa sasia e bombave të hedhura në Hiroshima në Luftën e Dytë Botërore.
Sipas një studimi të Universitetit Queen Mary me bazë në Londër, 54 deri në 66 për qind e strukturave në Gaza janë dëmtuar ose janë shkatërruar plotësisht nga sulmet izraelite.
Sulmet izraelite shkaktuan emetimin e 420.652 tonë ekuivalent të dioksidit të karbonit në periudhën e parë 120-ditore, duke përfshirë shkurtin e vitit 2024, shifër e cila korrespondon me më shumë se emetimet vjetore të karbonit të 26 vendeve dhe rajoneve.
Një nga faktorët më të rëndësishëm që rrit dëmin e shkaktuar nga sulmet në mjedis është bomba me fosfor të bardhë, e cila sipas ligjit ndërkombëtar është e ndaluar të përdoret në zonat me popullsi të dendur civile.
Amnesty International dokumentoi përdorimin e predhave të artilerisë me fosfor të bardhë nga ushtria izraelite në zonat me popullsi të dendur civile të Gazës dhe për këtë paraqiti prova të shumta, përfshirë edhe fotografitë e bëra nga fotoreporteri i Anadolu-t.
Fosfori i bardhë, i cili mund të qëndrojë në tokë dhe ujë për vite me radhë, mbyt bimët me të cilat bie në kontakt në afat të shkurtër, ndërsa në afat të gjatë fosfori i bardhë duke krijuar një efekt plehërues në bujqësi, ai shkakton rritje të tepruar të bimëve, myshkut dhe algave.
Kriza e ujit thellohet
Përveç objektivave ushtarake në Gaza, Izraeli shënjestron edhe objektet kritike të infrastrukturës, duke lënë në errësirë Gazën me sulmet ndaj linjave të energjisë elektrike. Izraeli, i cili godet jo vetëm linjat e energjisë elektrike, por edhe linjat e ujit, ka shkaktuar një krizë të madhe të ujit në Gaza.
Agjencia e OKB-së për Ndihmën dhe Punën për Refugjatët Palestinë në Lindjen e Afërt (UNRWA) njoftoi se afërsisht 67 për qind e objekteve dhe infrastrukturës së ujit dhe kanalizimeve u shkatërruan ose u dëmtuan në tetë muajt e parë të sulmeve.
Sipas raportit të titulluar “Krimet e luftës së ujit”, e publikuar në muajin korrik nga organizata ndërkombëtare e ndihmës Oxfam, një person ka nevojë për 15 litra ujë në ditë për të mbijetuar në situata emergjente, ndërsa banorët e Gazës kanë vetëm 4,74 litra ujë për të përmbushur nevojat e tyre si gatimi, dushi dhe pastrimi. Kjo shifër tregon se krahasuar me periudhën para sulmeve izraelite, qasja në ujë e banorëve të Gazës është ulur me 94 për qind.
Problemi i ujit që është thelluar si rezultat i ndërprerjes së rrjedhës së ujit nga Izraeli në Rripin e Gazës, detyron njerëzit të përdorin ujërat e ndotur nga puset. Shumë herë, Izraeli gjithashtu ka sulmuar radhët e ujit, ku banorët e Gazës presin me orë të tëra për të marrë ujë dhe si pasojë më 17 tetor të vitit të kaluar vrau dy fëmijë që po ktheheshin në shtëpi me bidona uji.
Mbeturinat nuk mund të grumbullohen
Lidhur me mbeturinat, organizata joqeveritare PAX for Peace me bazë në Holandë përgatiteti një raport të titulluar “Lufta dhe mbeturinat në Gaza”, i cili u publikua në muajin qershor.
Raporti theksoi se përreth Rripit të Gazës ka të paktën 225 zona grumbullimi të mbeturinave në madhësi të ndryshme, por qindra mijëra tonë mbeturina të ngurta janë paraqitur nëpër rrugë dhe hapësira të tjera për shkak të dëmtimit në sulme të automjeteve për grumbullimin e mbeturinave dhe për shkak të pengesës së qasjes në zonat e grumbullimit të mbeturinave nga Forcat Izraelite të Mbrojtjes (IDF).
Rreziku i sëmundjes epidemike
Mungesa e asgjësimit të mbetjeve mjekësore dhe përzierja e kimikateve dhe substancave radioaktive në tokë dhe në ujërat nëntokësore çon në përhapjen e sëmundjeve të tilla si Hepatiti B dhe Hepatiti C. Kimikatet që nga zonat e depozitimit hyjnë në ujë dhe tokë dhe më pas në zinxhirin ushqimor gjithashtu arrijnë tek trupat e njeriut dhe të kafshëve përmes aktiviteteve bujqësore në këto zona.
Më 4 mars të vitit 2024, Ministria palestineze e Shëndetësisë me bazë në Gaza tha se në Rripin e Gazës, ku jetojnë afërsisht 2.3 milionë palestinezë, janë zbuluar rreth 1 milion raste të sëmundjeve infektive për të cilat nuk ka mundësi të nevojshme mjekësore për trajtim.
Ngarkesa e karbonit që vjen me shkatërrim
Kombet e Bashkuara (OKB) njoftuan se mund të duhen vite për të hequr 23 milionë tonë rrënoja të shkaktuara nga shkatërrimet e sulmeve izraelite në Gaza.
Sipas OKB-së, duke marrë parasysh se në sulmet e Izraelit në Gaza janë dëmtuar ose shkatërruar plotësisht 156 mijë deri në 200 mijë struktura, përfshirë shtëpi civile, spitale dhe ndërtesa shkollash, parashikohet se rindërtimi i tyre do të shkaktojë emetime të barasvlershme me 46.8 milionë ton deri në 60 milionë tonë të dioksidit të karbonit.
Kjo është më shumë se emetimet vjetore të dioksidit të karbonit në më shumë se 135 vende dhe e barabartë me atë të Suedisë dhe Portugalisë.