Izraeli duhet të fillojë përgatitjet për ndikimin e mundshëm të një cunami të madh, paralajmëroi zëvendëskryetari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Izraelit gjatë një takimi me agjencitë për emergjenca dhe disa ministri qeveritare.
Cunamitë nuk janë të pazakonta në atë rajon dhe ekspertët paralajmërojnë se mund të përsëriten.
Edhe pse është e pamundur të parashikohet se kur dhe ku do të godasë cunami i ardhshëm ose shkalla e përmbytjeve që mund të shkaktojë, gjasat rriten gjatë periudhave me aktivitet të shtuar sizmik, siç janë tërmetet e fundit në Greqi.
Në ishujt Santorini, mijëra tërmete të vegjël të regjistruar gjatë ditëve të fundit kanë shkaktuar shqetësim për mundësinë e një tërmeti të madh, i cili mund të shkaktojë një cunami në Detin Mesdhe.
Kujtojmë se qindra tërmete kanë tronditur ishujt grekë Santorini, Amorgos, Anafi dhe Ios.
Kjo situatë ka shkaktuar shqetësim mes banorëve, zyrtarëve dhe shkencëtarëve për një përshkallëzim të mundshëm të aktivitetit sizmik që mund të ndikojë në rajonet fqinje të Mesdheut lindor.
Sipas Qendrës Sizmologjike Euro-Mesdhetare (EMSC), tërmetet kanë ndodhur me intervale të shkurtra që nga e marta, ndërsa më i fuqishmi u regjistrua të hënën.
Më shumë se 11.000 banorë kanë braktisur Santorinin, një destinacion kryesor turistik në Greqi, ndërsa rreth 7.000 janë larguar me traget dhe 4.000 të tjerë me avion që nga e mërkura.
Në Turqi, gjatë 48 orëve të fundit, janë regjistruar më shumë se 100 tërmete, sipas të dhënave nga Agjencia e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD) të dielën.
Sizmologët deklaruan se tërmetet që po ndodhin, të cilat shfaqen në grupe me fuqi të ngjashme, tregojnë për një model që zakonisht i paraprin një tërmeti të madh.
Sky News raportoi se kjo seri tërmetesh mund të jetë ose një paralajmërim për një tërmet më të madh ose një grup lëkundjesh të vogla që mund të zgjasin për javë ose muaj.
” Nuk ekziston ndonjë teknologji serioze ose qasje që mund të parashikojë se çfarë do të ndodhë nga ky moment e tutje,” tha Costas Papazachos, profesor i gjeofizikës së zbatuar dhe sizmologjisë në Universitetin e Selanikut, për një media britanike.
Historikisht, rajoni ka përjetuar ngjarje të mëdha sizmike, përfshirë një tërmet shkatërrues me magnitudë 7.7 në vitin 1956, i cili shkaktoi një cunami gati 30 metra të lartë dhe shkatërrime të mëdha në Santorini, Kretë dhe pjesë të tjera të Mesdheut lindor.