Prej disa muajsh ministrja e Transportit, Merav Michaeli dhe ekipi i saj kanë zhvilluar bisedime me zyrtarë amerikanë, palestinezë dhe marokenë për të mbajtur të hapur pikën kufitare Allenby 24 orë në shtatë ditë në javë
Izraeli ka bërë të ditur se janë bërë përgatitjet për të mbajtur 24 orë të hapur pikën kufitare midis Bregut Perëndimor dhe Jordanisë me bashkëpunimin e SHBA-së dhe Marokut, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministria e Transportit e Izraelit ka publikuar një deklaratë me shkrim për statusin e pikës kufitare midis Bregut Perëndimor dhe Jordanisë.
Në deklaratë thuhet se prej disa muajsh ministrja e Transportit, Merav Michaeli dhe ekipi i saj kanë zhvilluar bisedime me zyrtarë amerikanë, palestinezë dhe marokenë për të mbajtur të hapur pikën kufitare Allenby 24 orë në shtatë ditë në javë.
Në deklaratë thuhet se është bërë përparim në negociatat për kalimin e kufirit me vizitën në Izrael të presidentit të SHBA-së, Joe Biden dhe se vendimi për të qëndruar i hapur për 24 orë do të hyjë në fuqi menjëherë pas punësimit të personelit të nevojshëm dhe përfundimit të përgatitjeve logjistike.
Thuhet se vendimi në fjalë është një nga vendimet e marra në kuadër të përpjekjeve të ministres Michaeli për forcimin e bashkëpunimit rajonal.
Në deklaratë thuhet se presidenti Biden dhe mbreti maroken, Mohammed VI, u falënderuan për përpjekjet e tyre për të kontribuar në paqen dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme.
Kalimi kufitar midis Jordanisë dhe Bregut Perëndimor mbahet i hapur nga mëngjesi deri në mbrëmje. Kalimin kufitar në tokën palestineze, një pjesë e së cilës është nën kontrollin e Izraelit, jordanezët e quajnë “Ura e Mbretit Hussein”, palestinezët e quajnë Kerame (Nder) dhe izraelitët e quajnë Allenby.