“Vazhdojnë operacionet e ushtrisë izraelite në Rafah që nga maji kur ushtria hyri në qytet, që synon shkatërrimin e infrastrukturës”, tha kreu i Bashkisë së Rafahut, Ahmed Al-Sufi
Sipas disa raporteve që vijnë nga Rafahu, Izraeli planifikon ta shkatërrojë plotësisht këtë qytet që ndodhet në jug të Rripit të Gazës dhe ta bëjë atë të pabanueshëm, raporton Anadolu.
Kryetari i Bashkisë së Rafahut, Ahmed Al-Sufi, në një deklaratë me shkrim tha se vazhdojnë operacionet e ushtrisë izraelite në qytetin Rafah që nga maji kur ushtria hyri në qytet, që synon shkatërrimin e infrastrukturës së qytetit.
Duke nënvizuar se raportet dhe të dhënat vizuale nga qyteti tregojnë se Izraeli po përpiqet ta bëjë Rafahun të pabanueshëm me operacionet shkatërruese, Al-Sufi tha se Izraeli shkatërroi ndërtesat një nga një me makineritë që solli në Rafah dhe i hodhi rrënojat në vende të panjohura.
“Sjellja e makinerive në vend për shkatërrim konfirmon se forcat izraelite po zbatojnë një plan ekzistues në qytetin e Rafahut”, tha ai duke u bërë thirrje të gjitha organizatave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut që të ndalojnë këtë krim në Rafah.
Në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023, janë vrarë 44.835 palestinezë ndërsa 106.356 të tjerë janë plagosur. Nën rrënoja ende ka mijëra të vdekur ndërsa po shkatërrohet infrastruktura civile duke synuar spitalet dhe institucionet arsimore ku njerëzit janë strehuar.