Izraeli pranoi se droni i Hezbollahut goditi shtëpinë e Netanyahut, goditur dritarja e dhomës së gjumit

Një dron, që u infiltrua nga Libani të shtunën, goditi një ndërtesë në Cezare, për të cilën u zbulua të martën se ishte rezidenca e kryeministrit Benjamin Netanyahu.

Vetëm disa orë më parë, një zyrtar i lartë i Hezbollahut mori përgjegjësinë për sulmin me dron.

Deri tani ishte raportuar vetëm se droni ishte nisur drejt shtëpisë së tij, por nuk ishte publikuar se kishte goditur ndërtesën. Netanyahu dhe gruaja e tij nuk ishin të pranishëm gjatë incidentit.

Droni goditi dritaren e dhomës së gjumit në shtëpinë e Netanyahut. Për shkak të masave mbrojtëse, droni nuk depërtoi në shtëpi dhe pati vetëm dëme të jashtme.

Droni u ndoq nga një helikopter luftarak që identifikoi infiltrimin e tij nga Libani deri në momentin e goditjes. Si rezultat, alarmet u aktivizuan në Glilot dhe në veri të Tel Avivit, megjithëse aplikacioni Home Front Command nuk lëshoi asnjë paralajmërim.

Dy dronë të tjerë gjithashtu hynë në hapësirën ajrore të Izraelit nga Libani, por u kapën në zona të hapura. Zëdhënësi i IDF-së deklaroi se po zhvillohet një hetim lidhur me goditjen e ndërtesës.

Sipas mediave izraelite, bëhet fjalë për dronin “Ziyad 107”, i të njëjtit lloj që goditi një bazë izraelite javën e kaluar, gjatë së cilës Izraeli pranoi vdekjen e katër ushtarëve.

Yossi Shelly, drejtori i përgjithshëm i Zyrës së Kryeministrit, vizitoi rezidencën e Netanyahut në Cezare të dielën. Atij iu bashkuan drejtori i Administratës Tatimore, Shai Aharonovitch, dhe zyrtarë të administratës për të vlerësuar dëmet e shkaktuara nga sulmi.

Kategoritë
BotaLajme