Ushtria izraelite ka pranuar se ushtarët e saj kanë bërë një sërë gabimesh gjatë një sulmi vdekjeprurës më 23 mars, ku u vranë 15 punonjës të shërbimeve emergjente në jug të Rripit të Gazës, pranë Rafahut.
Objektivi i sulmit ishte një autokolonë që përfshinte automjete të Shoqatës Palestineze të Gjysmëhënës së Kuqe (PRCS), një mjet të Kombeve të Bashkuara dhe një zjarrfikëse të Mbrojtjes Civile të Gazës. Fillimisht, Izraeli kishte pohuar se ushtarët kishin hapur zjarr sepse automjetet po i afroheshin “në mënyrë të dyshimtë”, në errësirë, pa drita ndezur dhe pa sinjalizime rrotulluese, dhe se nuk kishte koordinim paraprak me ushtrinë.
Megjithatë, një video e regjistruar me telefon nga njëri prej punonjësve të vrarë – Refat Radwan – tregon se automjetet kishin dritat ndezur dhe ishin qartazi të identifikuara, ndërsa po shkonin për të ndihmuar të plagosurit. Në videon e publikuar nga New York Times, shihet autokolona duke ndaluar automjetet në rrugë pak para agimit, dhe më pas papritur fillon të shtënat.
I vrari shqiptonte shehadetin
Është publikuar videoja e sulmit izraelit ndaj autokolonës ku u vranë 15 punonjës humanitarë, trupat e të cilëve u gjetën në një varr masiv.
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) vazhdojnë të pretendojnë se të paktën gjashtë prej të vrarëve kishin lidhje me Hamasin, por nuk kanë dhënë asnjë provë për ta mbështetur këtë. Është konfirmuar se të gjithë ishin të paarmatosur në momentin kur u qëlluan.
Një zyrtar i IDF-së deklaroi se ushtarët fillimisht kishin qëlluar një mjet ku ndodheshin tre anëtarë të Hamasit. Kur ambulancat iu afruan asaj zone, ushtria – duke përdorur mbikëqyrje ajrore – i konsideroi si kërcënim dhe hapi zjarr, megjithëse nuk kishte asnjë shenjë që dikush nga autokolona mbante armë.
Izraeli ndërkohë ka pranuar se pretendimi fillestar se automjetet nuk kishin drita të ndezura – ishte i pavërtetë, dhe ka fajësuar ushtarët në terren për raportim të gabuar.
IDF gjithashtu ka deklaruar se trupat e punonjësve të ndihmës u varrosën në rërë për t’u mbrojtur nga kafshët e egra, dhe se automjetet u zhdukën dhe u varrosën ditën tjetër për të liruar rrugën. Megjithatë, trupat u gjetën vetëm një javë më vonë, pasi organizatat ndërkombëtare, përfshirë OKB-në, nuk arritën të sigurojnë një kalim të sigurt deri në vendngjarje.
Kur një ekip punonjësish humanitarë më në fund arriti te trupat, u gjet edhe telefoni celular i Radwan me regjistrimin e ngjarjes. Zyrtarët ushtarakë izraelitë kanë mohuar pretendimet se punonjësit e ndihmës ishin të lidhur ose të ekzekutuar nga afër.
Një i mbijetuar i shërbimit të urgjencës deklaroi më herët këtë javë për BBC se automjetet kishin drita ndezur dhe mohoi çdo lidhje të kolegëve të tij me grupe të armatosura.
Ushtria izraelite ka premtuar një “hetim të thelluar” për të përcaktuar saktësisht ngjarjen dhe veprimet e ushtarëve.
Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze dhe shumë organizata ndërkombëtare kërkojnë një hetim të pavarur për këtë incident.
Izraeli më 18 mars rifilloi sulmet ajrore dhe tokësore në Gaza pas dështimit të fazës së parë të marrëveshjes për armëpushim. Që atëherë, sipas të dhënave të ministrisë së shëndetësisë në Gaza të drejtuar nga Hamasi, janë vrarë mbi 1.200 njerëz.
E gjithë operacioni ushtarak i Izraelit kundër Hamasit filloi pas sulmit të 7 tetorit 2023, kur u vranë rreth 1.200 njerëz dhe 251 persona u morën peng. Që atëherë, sipas të njëjtave burime, në Gaza janë vrarë mbi 50.600 njerëz.