Izraeli proteston ndaj Kilit pasi presidenti nuk ia pranoi ambasadorin e ri

Presidenti kilian Gabriel Boric refuzoi të priste ambasadorin izraelit Gil Artzyeli për shkak të vrasjes së një të riu palestinez në Rripin e Gazës nga ushtria izraelite

Ministria e Jashtme izraelite thirri të dërguarin e Kilit për një “qortim” pasi presidenti kilian Gabriel Boric refuzoi të pranonte kredencialet e ambasadorit të ri izraelit, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Izraeli e sheh me ashpërsi sjelljen e çuditshme dhe të paprecedentë të Kilit”, thonë nga ministria përmes një postimi në Twitter, duke shtuar se sjellja e presidentit kilian “dëmton seriozisht” marrëdhëniet dypalëshe.

I njohur si mbështetësi i vendosur i Palestinës, Boric refuzoi të pranonte letrat kredenciale të ambasadorit izraelit Gil Artzyeli, i cili veçse ishte i pranishëm në pallatin presidencial.

“Ambasadori i Kilit në Izrael është thirrur nga Drejtori i Përgjithshëm i MPJ-së për një bisedë qortuese në të cilën përgjigja e Izraelit do t’i bëhet e qartë ambasadorit”, thonë nga Ministria e Jashtme izraelite.

Raportet e mediave kiliane thanë se Boric refuzoi të priste ambasadorin izraelit Gil Artzyeli për shkak të vrasjes së një të riu palestinez në Rripin e Gazës nga ushtria izraelite.

Sipas Times of Israel, Artzyeli tha se zyrtarë të lartë të Ministrisë së Jashtme të Kilit i “kërkuan falje disa herë”.

Kategoritë
BotaLajme