Izraeli rinisi ofensivën tokësore ndaj kampit të refugjatëve në Gaza, mes viktimave ka edhe fëmijë

Ushtria izraelite bombardoi kampin e refugjatëve Jabalia, duke vrarë të paktën 17 persona, vetëm disa orë pasi kishte detyruar banorët e asaj zone të largoheshin sërish gjatë sulmit të tretë tokësor ndaj kampit të dendur në veri të Gazës, që nga fillimi i luftës një vit më parë.

Agjencia Palestineze e Mbrojtjes Civile njoftoi të dielën se numri i të vrarëve përfshinte nëntë fëmijë pas sulmeve ajrore, dhe se ushtria kishte vendosur tanke në atë zonë për herë të parë pas disa muajsh.

Zëdhënësi i mbrojtjes civile palestineze në Gaza, Mahmoud Basal, shtoi se Jabalia ishte shënjestër e shumë sulmeve gjatë natës, duke shkaktuar shumë viktima. Banorët i përshkruan sulmet e shtuara si disa nga më të këqijat në muajt e fundit.

“Dhjetëra shpërthime nga sulmet ajrore dhe bombardimet me tanke tronditën tokën dhe ndërtesat. Më dukej sikur isha në ditët e para të luftës,” tha Raed (52 vjeç) nga Jabalia për agjencinë e lajmeve Reuters, përpara se familja e tij të largohej të dielën në qytetin Gaza.

Ushtria izraelite njoftoi se forcat e saj “me sukses” kishin rrethuar kampin e refugjatëve dhe po vepronin në atë zonë.

Ushtria tha se vendimi ishte marrë pas të dhënave të inteligjencës që tregonin për “praninë e terroristëve dhe infrastrukturës terroriste në zonën e Jabalias… si dhe përpjekjet e Hamasit për të rikthyer aftësitë e tij operacionale në atë zonë.”

Duke raportuar nga afër spitalit Kamal Adwan në Jabalia, gazetari i Al Jazeera-s Moath al-Kahlout tha se situata në veri “po përkeqësohej,” duke shtuar se gjatë sulmeve gjatë natës ishin vrarë edhe familje të tëra.

Kategoritë
BotaLajme