Izraeli shkatërron fshatin palestinez Al-Arakib për herë të 216-të

Anëtari i Komitetit për Mbrojtjen e fshatit Al-Arakib, Aziz Aziz al-Touri në një deklaratë për Anadolu theksoi se forcat izraelite bastisën fshatin dhe e shkatërruan atë për herë të 216-të

Forcat izraelite lanë shumë persona pa shtëpi duke shembur edhe njëherë fshatin Al-Arakib ku jetojnë beduinët palestinezë në shkretëtirën Negev në jug të vendit, raporton Anadolu.

Anëtari i Komitetit për Mbrojtjen e fshatit Al-Arakib, Aziz Aziz al-Touri në një deklaratë për Anadolu theksoi se forcat izraelite bastisën fshatin dhe e shkatërruan atë për herë të 216-të.

Touri tha se banorët e rajonit do ta ndërtojnë sërish fshatin, duke shtuar se ushtarët izraelit gjithashtu kanë konfiskuar edhe mjetet e palestinezëve.

Në fshatin Al-Arakib të cilin Izraeli e shembi për herë të parë në korrik 2010, jetojnë mbi 80 palestinezë, shtetas izraelitë.

Administrata e Tel Avivit pretendon se fshati është “ngritur në mënyrë të paligjshme dhe duhet të shembet”. Ndërsa banorët e fshatit theksojnë se këto toka u janë trashëguar nga gjyshërit e tyre shumë kohë para themelimit të Izraelit.

– Banorët rindërtojnë shtëpitë e tyre pas çdo shembjeje

Pas çdo procesi të shembjes nga forcat izraelite, banorët vazhdojnë rezistencën e tyre duke ndërtuar shtëpitë e tyre prej druri dhe lëndës plastike.

Ashtu si në fshatrat e tjerë në rajonin Nagev, Izraeli nuk ofron shërbim të energjisë elektrike dhe ujit edhe në fshatin Al-Arakib si dhe nuk njeh pronësinë e tokës për palestinezët që jetojnë në rajon.

Sipas burimeve palestineze, administrata e Tel Avivit deri më sot ka shpronësuar 11 milionë dynymë të Shkretëtirës Negev me 12 milionë dynymë ku jetojnë 220 mijë palestinezë.

Kategoritë
BotaLajme