Policia izraelite shoqëroi ekipet ndërtimore për të rrafshuar faltoren prej 50 metrash katrorë në qytezë, duke cituar si arsye mungesën e lejes së ndërtimit
Autoritetet izraelite rrënuan një xhami në qytezën Jabal al-Mukaber në Kudsin Lindor të pushtuar, raporton Anadolu.
Policia izraelite shoqëroi ekipet ndërtimore për të rrafshuar faltoren prej 50 metrash katrorë në qytezë, duke cituar si arsye mungesën e lejes së ndërtimit.
Sipas dëshmitarëve, xhamia është ndërtuar 20 vjet më parë për t’u shërbyer palestinezëve që banojnë në këtë zonë.
Autoritetet izraelite lëshuan urdhër për prishjen e xhamisë 16 vjet më parë, por urdhri u shty për shkak të apelimeve ligjore përpara se të lëshohej një njoftim përfundimtar dy javë më parë.
Aktivistët palestinezë, ndërkombëtarë dhe izraelitë akuzojnë autoritetet izraelite për kufizimin e qëllimshëm të aktiviteteve të ndërtimit për palestinezët në Kudsin Lindor.
Të premten, Ministria e Çështjeve të Kudsit dënoi shkatërrimin sistematik të shtëpive të palestinezëve në Kudsit Lindor të pushtuar nga Izraeli si “spastrim etnik dhe një krim lufte”.
Sipas organizatave joqeveritare palestineze, autoritetet izraelite kanë shkatërruar mbi 500 shtëpi dhe objekte në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar që nga 7 tetori i vitit të kaluar.
Tensionet janë rritur në Bregun Perëndimor për shkak të luftës brutale të Izraelit në Rripin e Gazës, ku ka vrarë rreth 44 mijë palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, pas një sulmi të Hamasit vitin e kaluar.
Përpos kësaj, mbi 785 palestinezë janë vrarë që atëherë dhe mbi 6.450 të tjerë janë plagosur nga ushtria izraelite në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.