Izraeli u ndaloi mijëra të krishterëve palestinezë të hyjnë në Jerusalem gjatë Pashkëve

Autoritetet izraelite të shtunën ndaluan besimtarët e krishterë të hyjnë në Kishën e Varrit të Shenjtë në Jerusalem të okupuar, kur ata tentuan të shënojnë të Shtunën e Madhe, një ditë e shenjtë në kuadër të festimeve të fundjavës së Pashkëve.

Policia izraelite ngriti pika ushtarake kontrolli në rrugët që të çojnë drejt kishës në Qytetin e Vjetër, duke kontrolluar letërnjoftimet dhe duke ua ndaluar hyrjen shumë të rinjve, sipas agjencisë zyrtare palestineze të lajmeve, WAFA.

Kufizimet ndodhën ndërsa komunitetet e krishtera po shënonin të Shtunën e Madhe, një nga ditët më të shenjta në kalendarin e krishterë, para të Dielës së Pashkëve, që shënohet nga shumë të krishterë.

Në rrjetet sociale janë publikuar disa video të sulmeve të policisë izraelite dhe forcave të sigurisë ndaj besimtarëve të krishterë gjatë përpjekjes për të shënuar festën.

WAFA raportoi se autoritetet izraelite ua kanë ndaluar mijëra të krishterëve nga Bregu Perëndimor i okupuar hyrjen në Jerusalem për këtë rast, duke zbatuar kërkesa të rrepta për leje për palestinezët myslimanë dhe të krishterë.

Burime kishtare i thanë WAFA-s se këtë vit janë lëshuar vetëm 6000 leje për të krishterët nga Bregu Perëndimor, ndonëse komuniteti numëron rreth 50,000 vetë në territoret palestineze.

Pavarësisht kufizimeve, pelegrinët e krishterë vazhdojnë çdo vit të udhëtojnë në Jerusalem për ritualet e zjarrit të shenjtë, të cilat mbahen në Kishën e Varrit të Shenjtë, që besohet të jetë vendi i kryqëzimit dhe ringjalljes së Jezusit. Megjithatë, masat e sigurisë izraelite e kanë prishur shpesh festën.

Për të dytin vit me radhë, pjesëmarrja në ceremonitë e Javës së Madhe dhe të Pashkëve është dukshëm më e vogël për shkak të sulmit izraelit që po vazhdon në Gaza dhe në Bregun Perëndimor të okupuar.

Kishat po ashtu i kanë reduktuar aktivitetet festive dhe paradat për Pashkë, duke i kufizuar festimet vetëm në shërbesa fetare dhe lutje.

Tensioni është i lartë në Bregun Perëndimor të okupuar, ku të paktën 952 palestinezë janë vrarë dhe mbi 7000 të tjerë janë plagosur që nga fillimi i luftës në Gaza në tetor 2023, sipas të dhënave palestineze.

Në korrik 2024, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli të paligjshme okupimin shumëvjeçar të tokave palestineze nga ana e Izraelit dhe kërkoi evakuimin e të gjitha vendbanimeve ekzistuese në Bregun Perëndimor dhe në Jerusalemin Lindor.

Kategoritë
BotaLajme