Izraeli vendosi kontakt me tre parti të djathta evropiane: “Ky nuk është dialog sekret, ambasadorët janë në dijeni”

Ministria e Jashtme izraelite ka vendosur kontakte me tre parti evropiane të klasifikuara si të djathta ekstreme, sipas udhëzimit të ministrit të jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar.

Raportet mediatike i referohen zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Jashtme të Izraelit.

Partitë në fjalë janë Fronti Kombëtar (Francë), Demokratët Suedezë dhe Vox (Spanjë), me të cilat Izraeli nuk kishte pasur kontakte më parë.

“Ky nuk është një dialog sekret, vendimi është marrë pas diskutimeve të gjera mbi këtë çështje,” tha një zyrtar izraelit për The Jerusalem Post.

Kontaktet me partitë e djathta ekstreme në Evropë nisën disa muaj më parë kur ish-ministri i jashtëm Israel Katz udhëzoi zyrtarët e ministrisë të realizonin një studim mbi këtë temë.

Në kuadër të studimit u shqyrtuan gjithashtu Partia e Lirisë e Austrisë dhe Alternativa për Gjermaninë (AfD), raporton Jerusalem Post.

Kur mori detyrën, Sa’ar mori në dorë edhe analizat që përfshinin vlerësime të partive të djathta ekstreme evropiane bazuar në disa kritere, si mbështetja e tyre aktuale për Izraelin, qëndrimi i tyre ndaj komunitetit hebre dhe perceptimi i komunitetit hebre ndaj tyre.

Sa’ar ka urdhëruar ambasadat izraelite në Paris, Madrid dhe Stokholm të informojnë drejtuesit e organizatave hebreje për vendimin dhe të koordinohen me ta në lidhje me vendosjen e kontakteve me këto tre parti.

Pasi ambasadorët kanë njoftuar organizatat hebreje, janë mbajtur takime me përfaqësuesit e këtyre tre partive.

Kategoritë
BotaLajme