Ministria e Shëndetësisë tha se 106 persona të tjerë të plagosur janë dërguar në spitale në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin e të plagosurve në 115.981
Sulmet e fundit ajrore izraelite në Rripin e Gazës kanë vrarë të paktën 26 palestinezë të tjerë, duke e çuar numrin e të vdekurve në luftën e saj gjenocidale që nga tetori 2023 në 50.912, transmeton Anadolu.
Ministria e Shëndetësisë me bazë në Gaza tha se 106 persona të tjerë të plagosur janë dërguar në spitale në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin e të plagosurve në 115.981.
Shumë viktima janë ende të bllokuar nën rrënoja dhe në rrugë, me shpëtimtarët të paaftë për t’i arritur ato, shtohet në deklaratë.
Ushtria izraelite nisi një fushatë të befasishme ajrore në Rripin e Gazës më 18 mars, pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve që u arrit në janar.
Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhra arresti nëntorin e kaluar për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavën palestineze.
Në fillim të kësaj jave, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres tha se Gaza është bërë një “zonë e vrasjes” pasi Izraeli ka vazhduar të bllokojë ndihmën.
“Ka kaluar më shumë se një muaj i tërë pa një pikë ndihme në Gaza. Pa ushqim. Pa karburant. Asnjë ilaç. Nuk ka furnizime komerciale. Ndërsa ndihmat janë shteruar, dyert e tmerrit janë rihapur”, u tha ai gazetarëve.