J.D. Vance: Nëse Rusia refuzon të negociojë, opsioni i dërgimit të trupave amerikane në Ukrainë është ende në tryezë

Nënkryetari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, J.D. Vance, deklaroi se Uashingtoni do të vendosë sanksione ndaj Moskës dhe potencialisht do të ndërmarrë veprime ushtarake nëse lideri i Kremlinit, Vladimir Putin, nuk pranon një marrëveshje paqeje me Ukrainën që garanton pavarësinë afatgjatë të Kievit.

Vance tha se opsioni për të dërguar trupa amerikane në Ukrainë mbetet në tryezë nëse Moska refuzon procesin e negociatave. Ky qëndrim i nënkryetarit ndryshon ndjeshëm nga ai i sekretarit të mbrojtjes, Pete Hegseth.

“Ka mjete ekonomike të presionit, dhe sigurisht ka edhe mjete ushtarake të cilat SHBA mund t’i përdorë kundër Putinit,” tha Vance.

Ai theksoi se është ende herët për të përcaktuar se sa territor ukrainas mund të mbetet nën kontrollin rus ose çfarë garancish sigurie SHBA dhe aleatët perëndimorë mund t’i ofrojnë Kievit, duke theksuar se këto detaje duhet të negociohen gjatë bisedimeve të paqes.

“Ekzistojnë shumë formulime dhe konfigurime të mundshme, por ajo që na intereson është që Ukraina të ruajë pavarësinë e saj sovrane,” tha Vance.

Ai shtoi se administrata e Trumpit do të përpiqet të bindë Putinin se Rusia do të fitojë më shumë përmes negociatave sesa në fushëbetejë.

“Presidenti Trump mund të thotë: ‘Shikoni, ne nuk e duam këtë situatë, ndoshta nuk do të na pëlqejë, por jemi të gatshëm ta rikthejmë në tryezë nëse rusët nuk janë partnerë të mirë në negociata ose nëse ka çështje shumë të rëndësishme për ukrainasit që mund të duam t’i largojmë nga diskutimi’,” deklaroi Vance.

Kategoritë
BotaLajme