Kur hapim një kavanoz me mjaltë, ndonjëherë mund të vërejmë një shtresë të bardhë në sipërfaqen e tij. Prania e saj mund të jetë shqetësuese. A duhet të shmangni këtë lloj mjalti?
Mitet e zakonshme
Le të fillojmë duke shpjeguar disa mite. Shtresa e bardhë në mjaltë nuk është shenjë që mjalti ka humbur cilësinë e tij, as që është prishur, shkruan Krstarica.
Gjithashtu, nuk është e vërtetë që shtresa e bardhë në mjaltë është rezultat i shtimit të niseshtës, sheqerit ose aditivëve të tjerë.
Kjo shtresë e bardhë nuk është e dëmshme. Përkundrazi, formimi i saj është një proces krejtësisht natyral dhe nuk ka arsye të frikësoheni ta konsumoni atë mjaltë. Hedhja e një kavanozi të tillë është një gabim, dhe prania e shtresës së bardhë ose edhe shkumës nuk është një mangësi e produktit.
Shtresa e bardhë në sipërfaqen e mjaltit është thjesht glukoza që gjendet natyrshëm në mjaltë dhe që me kalimin e kohës kristalizohet. Nga ana tjetër, “shkuma” krijohet për shkak të lëshimit të flluskave të ajrit që mbyllen në mjaltë gjatë procesit të prodhimit.
Një sediment i tillë gjithashtu mund të tregojë praninë e tharmit, por as kjo nuk është shkak për shqetësim. Përkundrazi. Në mjaltin me përmbajtje të lartë glukoze, është e dukshme që në sipërfaqen e mjaltit dhe përgjatë anëve të enës ku ruhet, shfaqen “lule” të bardha që me kalimin e kohës shtohen. Kjo është një dëshmi se tharmi ushqehet, konsumon fruktozën dhe lë pas një lloj shkume glukoze.
Kjo është gjithashtu një dëshmi që mjalti është i gjallë, nuk është nënshtruar përpunimit të tepërt termik dhe ende është biologjikisht aktiv, sipas Skarbiroztocza.com.
Duhet pasur parasysh që kristalizimi i mjaltit është një proces natyral. Mund të jetë shqetësuese nëse produkti e ruan për një kohë të gjatë konsistencën e tij të lëngshme. Kjo mund të jetë rezultat i përzierjes me substanca të tjera ose nxehtësisë së tepërt.
Në fakt, kur zgjidhni mjaltë, nuk duhet të udhëhiqeni nga pamja e tij e përsosur. Mjalti që ka një strukturë të parregullt, me shtresa ose shkumë në sipërfaqe, është një produkt krejtësisht natyral dhe i cilësisë së lartë me veti të vlefshme.
Kur blini mjaltë, lexoni etiketat. Një produkt cilësor nuk duhet të përmbajë përbërës shtesë si glukoza ose shurupi i misrit. Ekspertët rekomandojnë një test të thjeshtë për të parë nëse keni të bëni me mjaltë të vërtetë apo të falsifikuar. Pas shijimit të tij, duhet të ndjeni një ndjesi të lehtë kruarjeje në fyt.