Vuçiq u shpreh se ata kishin rënë dakord për nevojën për shpërshkallëzimin e tensioneve dhe një rol më të madh për misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, e paralajmëroi për masat e mundshme që mund të ndërmerren kundër Beogradit zyrtar teksa tensionet rriten pas përleshjeve vdekjeprurëse në Kosovë midis serbëve etnikë dhe policisë kosovare, transmeton Anadolu.
“I thashë (Antony Blinkenit), ju jeni një vend i madh, një fuqi e madhe. Është e juaja të bëni atë që mendoni se duhet të bëni. Unë jam absolutisht kundër kësaj dhe mendoj se është shumë e keqe, por ka gjëra që duhet t’i përmbahemi dhe kjo është para së gjithash e vërteta”, tha Vuçiq pas një bisede telefonike me Blinkenin.
Vuçiq u shpreh se ata kishin rënë dakord për nevojën për shpërshkallëzimin e tensioneve dhe një rol më të madh të KFOR-it, misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë.
“Kam pasur një bisedë të gjatë dhe aspak të lehtë me Sekretarin e Shtetit Blinken. Ka disa gjëra për të cilat jemi pajtuar dhe ka disa gjëra të tjera për të cilat nuk jemi pajtuar. E kam informuar me detaje për faktet rreth ngjarjeve të fundit në Kosovë”, tha Vuçiq për mediat.
Ai u shpreh se një nga çështjet për të cilat nuk u pajtuan ishte natyra e përplasjeve në Kosovë dhe veçanërisht çështjet që lidhen me sovranitetin e Kosovës.
“Nuk dua të fsheh asgjë dhe nuk më intereson se çfarë mendon dikush në botë për këtë, sepse ne kemi prova që të paktën një, dhe ndoshta dy persona janë likuiduar me gjakftohtësi dhe se ata nuk janë likuiduar në betejë, por ishin të plagosur, ata ishin gjallë, u dorëzuan dhe më pas u likuiduan me gjakftohtësi nga një distancë e shkurtër”, tha Vuçiq.
Ndërkohë, sipas kumtesës së Departamentit Amerikantë Shtetit lidhur me bisedën telefonike, në bisedë u diskutua “rëndësia e marrjes së masave të menjëhershme për të shpërshkallëzuar tensionet me Kosovën pas dhunës së 24 shtatorit dhe vdekjes së një pjesëtari të Policisë së Kosovës”.
“Sekretari nënvizoi se ata që janë përgjegjës për sulmet, që tani janë në Serbi, duhet të mbahen përgjegjës”, tha në një deklaratë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller.
Sipas zëdhënësit Miller, Blinken shprehu gjithashtu mbështetje për veprimet e KFOR-it dhe EULEX-it, duke vënë në dukje se incidentet si ato pranë Manastirit të Banjskës paraqesin “sfida të papranueshme” për forcën kosovare dhe komunitetin ndërkombëtar.
Blinken përshëndeti gjithashtu praninë e shtuar të KFOR-it dhe vendimin e NATO-s për të autorizuar forca shtesë, tha Miller.
“Sekretari përsëriti se Serbia duhet të mbështesë shpërshkallëzimin e menjëhershëm me zbatimin e plotë të angazhimeve të saj sipas marrëveshjes së normalizimit në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE”, shtoi ai.
Të dielën, një përleshje shpërtheu në fshatin Banjska në veri të Kosovës, afër kufirit me Serbinë, kur një grup serbësh të armatosur bllokuan një urë me dy kamionë. Një shkëmbim zjarri shpërtheu pasi grupi hapi zjarr ndaj policisë, duke lënë të vdekur një polic dhe duke plagosur një tjetër.
Zona e veriut të Kosovës ka qenë skenë e trazirave që nga prilli, kur serbët lokalë bojkotuan zgjedhjet, veprim i ndjekur nga protesta kundër zgjedhjes së kryetarëve shqiptarë të komunave.