Jakov Milatoviq dha betimin dhe mori detyrën si president i Malit të Zi

“Betohem se do t’i kryej detyrat e presidentit me përgjegjësi, nder, ndërgjegje, drejtësi dhe paanshmëri, sipas Kushtetutës dhe ligjit”, tha Milatoviq gjatë ceremonisë së betimit

Presidenti i sapozgjedhur i Malit të Zi, Jakov Milatoviq dha betimin sot para deputetëve të Parlamentit të Malit të Zi dhe mori zyrtarisht detyrën e presidentit të shtetit, raporton Anadolu.

“Betohem se do t’i kryej detyrat e presidentit me përgjegjësi, nder, ndërgjegje, drejtësi dhe paanshmëri, sipas Kushtetutës dhe ligjit”, tha Milatoviq gjatë ceremonisë së betimit.

Rreth 200 të ftuar morën pjesë në ceremoninë e betimit në Parlamentin e Malit të Zi. Përveç deputetëve të Parlamentit të Malit të Zi dhe deputetëve të Qeverisë së Malit të Zi, ish-presidentit të Malit të Zi si dhe ish-kryetarë të Qeverisë dhe Parlamentit, përfaqësues të funksioneve më të larta gjyqësore dhe përfaqësues të trupit diplomatik, u mbajt ceremonia ku morën pjesë presidentët e shteteve të rajonit si dhe të dërguarit specialë të SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë.

Në ceremoninë e betimit morën pjesë presidentët e Serbisë dhe Kroacisë, Aleksandar Vuçiq dhe Zoran Milanoviq, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, anëtarët e Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës (BeH), Zheljka Cvijanoviq, Denis Beqiroviq dhe Zheljko Komshiq dhe të dërguarit specialë të SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, Stuart Peach dhe Manuel Sarrazin.

Milatoviq fitoi zgjedhjet presidenciale në raundin e dytë të mbajtur më 2 prill, në të cilat fitoi gati 60 për qind të votave.

Sipas Kushtetutës së Malit të Zi, të miratuar më 22 tetor 2007, presidenti zgjidhet në zgjedhje të drejtpërdrejta për 5 vjet. Që nga shpallja e pavarësisë më 21 maj 2006, funksionin e presidentit të Malit të Zi e ka ushtruar Filip Vujanoviq, i cili u zgjodh në zgjedhjet presidenciale të vitit 2008 dhe 2013. Milo Gjukanoviq u zgjodh në atë pozitë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2018.

Kategoritë
LajmeRajoni