Jakup Krasniqi: Aktakuza e Speciales më lëndoi më shumë sesa burgjet serbe

Ish-zëdhënësi i UÇK-se, Jakup Krasniqi në fjalën e tij para trupit gjykues në Gjykatën Speciale për krime lufte me seli në Hagë ka thënë se asnjëherë në jetë nuk ka qenë i përfshirë në vrasje a burgosje

Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Jakup Krasniqi në fjalën e tij para trupit gjykues në Gjykatën Speciale për krime lufte me seli në Hagë ka thënë se asnjëherë në jetë nuk ka qenë i përfshirë në vrasje a burgosje, transmeton Anadolu.

Krasniqi tha se ai “urren dhunën, vrasjen dhe torturat” dhe ato i konsideron të ulëta.

Ish-zëdhënësi i UÇK-së tha se nuk e kupton logjikën e aktakuzës së ngritur ndaj tij nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), ngase “ndaj popullit tonë është ushtruar dhunë sistematike”.

“Është absurde që të akuzohen për persekutimin e anëtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Unë vetë isha anëtar i LDK-së. Familjarët e mi, bashkëluftëtarët e mi ishin anëtarë të LDK-së. Vetëm një mendje e çoroditur do të mund të mendonte se jam pjesë e persekutimit tim, të familjarëve të mi”, shtoi ai.

Krasniqi para trupit gjykues tha se përmbajtja e aktakuzës së ngritur ndaj tij, e ka “lënduar më shumë” sesa dënimet “dhe torturat” që ka kaluar në burgjet serbe.

“Unë kurrë nuk kam qenë në shërbim të ndonjë politike të krimit. Në jetën time asnjëherë nuk kam kryer ndonjë vepër kriminale, as para luftës, gjatë luftës e as pas luftës. Gjithmonë kam vepruar ndershmërisht për liri dhe bashkim kombëtar, që kanë qenë qëllimet e mia jetësore”, tha ai.

Me deklarimin e Krasniqit, në Dhomat e Specializuara në Hagë kanë përfunduar deklaratat hyrëse të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, mbrojtësve të viktimave dhe ekipeve të mbrojtjes të ish-krerëve të UÇK-së ndërsa seanca e radhës gjyqësore ndaj Thaçit dhe të tjerëve do të mbahet më 11 prill.

Aktakuza ndaj katër ish-eprorëve të UÇK-së u konfirmua më 26 tetor të vitit 2020. Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentari Kadri Veseli, ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi dhe ish-deputeti Rexhep Selimi ngarkohen me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave. Gjithashtu kundër secilit prej tyre janë ngritur katër akuza për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Në Aktakuzë parashtrohet se krimet për të cilat janë ngritur akuzat u kryen së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 dhe ndodhën në disa vende në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Kategoritë
LajmeVendi