Janë publikuar detajet e bisedës mes Putinit dhe Trumpit: Është rënë dakord për ndalimin e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës

Mediat botërore kanë filluar të publikojnë informacionet mbi detajet e bisedës telefonike të sotme mes presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

Sipas mediave shtetërore ruse, Putin ka pranuar të ndalojë sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës. Thuhet se ai ka urdhëruar ushtrinë të ndërpresë këto sulme për 30 ditë.

Po ashtu, janë zbuluar detaje në lidhje me bisedimet për një armëpushim në Ukrainë.

“Liderët u pajtuan që hapat drejt paqes do të fillojnë me një armëpushim për infrastrukturën dhe energjinë, si dhe me negociata teknike për zbatimin e armëpushimit detar në Detin e Zi, një armëpushim të plotë dhe një paqe të qëndrueshme,” thuhet në raportim.

Sa i përket vendit dhe kohës së negociatave për armëpushimin, deklarohet:

“Këto bisedime do të fillojnë menjëherë në Lindjen e Mesme. Liderët diskutuan gjerësisht për këtë rajon si një mundësi për bashkëpunim në parandalimin e konflikteve të ardhshme.”

Lidhur me armët “strategjike”, që duket të jenë një referencë për armët bërthamore:

“Ata gjithashtu diskutuan mbi nevojën për të ndalur përhapjen e armëve strategjike dhe do të angazhohen me palët e tjera për të siguruar një zbatim sa më të gjerë të kësaj mase.”

Gjithashtu, u diskutua për marrëdhëniet e përgjithshme SHBA-Rusi.

“Dy liderët ranë dakord se një e ardhme me marrëdhënie të përmirësuara dypalëshe mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë do të sillte përfitime të mëdha. Kjo përfshin marrëveshje të mëdha ekonomike dhe stabilitet gjeopolitik kur paqja të arrihet.”

Kategoritë
BotaLajme