Javë më parë shprehej i nderuar me Kosovën, sot Kurtulus i la “Dardanët” për Suedinë

Disa javë më parë, të luante për Kosovën dhe si kapiten e U-21 ishte një nder për të. Megjithatë, duket se çdo gjë tani ka marrë kahje tjetër.

Edvin Kurtulus ka vendosur ta braktisë ekipin e Kosovës dhe ta përfaqësojë Suedinë.

Kjo u konfirmua edhe sot nga Kosova në konferencë për media.

Nëse e shikojmë profilin e Kurtulus në Instagram, e shohim se ai ende e mban ekipin e Kosovës në biografinë e shkurtër.

Kurse në një foto të publikuar javë më herët, si kapiten i U-21, ai krahas fotos, shkruante: Gjithmonë një nder”.

Mbrojtësi 22-vjeç deri më tani ka luajtur për ekipin e shpresave të “Dardanëve”, Kosovën U-21. Madje ishte edhe kapiten i kësaj skuadre.

Ndërsa, përzgjedh përzgjedhësi Alain Giresse e përfshiu atë në listën e Kombëtares A, të cilën e publikoi para pak ditësh, për ndeshjet e qershorit të Ligës së Kombeve. Por, në fund Kurtulus nuk iu bashkua ekipit.

Ai tani po planifikon t’i bashkohet Kombëtares së Suedisë, e cila ia ka hapur dyert. Një rast goxha i njëjtë me Ardian Ismajlin, ish kapitenin e Kosovës U-21, i cili kishte befasuar me transferimin e tij te Kombëtarja A e Shqipërisë.

Suedezët edhe më herët e kishin ftuar Kurtulusin, por në ekipin U-21. Por, lojtari kishte refuzuar ta lë shiritin e kapitenit të “Dardanëve” të rinj për të rinjtë suedezë, shkruan Gazeta Express. Mirëpo, besohet se tani Suedia ia ka hapur dyert e Kombëtares A, e cila sikur po e joshë mbrojtësin anësor.

Suedia sot e ka zbuluar listën e futbollistëve për ndeshjet e qershorit. Pjesë e kësaj liste nuk është Kurtulus. Por, mediat skandinave po thonë se Kurtulus do të ftohet në grumbullimin tjetër të Suedisë pasi paraprakisht duhet t’i rregullohet i gjithë dokumentacioni që e kërkojnë rregulloret e FIFA-s.

“Aksioni” i suedezëve nuk është i rastësishëm. Kjo pasi Kurtulus është bërë emër i njohur dhe i dëshmuar në Suedi, ku lojtari është lindur dhe bën karrierë. Ai po luan rregullisht për Hammarbyn, ekip i cili po kryeson në elitën e futbollit suedez.

Kategoritë
Sport