JD Vance iu përgjigjet kushëririt të tij, i cili luftoi në Ukrainë dhe e kritikoi ashpër

Nënkryetari amerikan JD Vance u përgjigj dje ndaj kritikës së ashpër të kushëririt të tij, Nate Vance, lidhur me strategjinë e SHBA-së në luftën midis Rusisë dhe Ukrainës, raportoi Fox News. Presidenti amerikan Donald Trump javën e kaluar ndaloi ndarjen e të dhënave të inteligjencës dhe ndihmën ushtarake për Kievin, pas një përplasjeje në Zyrën Ovale.

Nate Vance, i cili prej vitesh ka luftuar si vullnetar për Ukrainën kundër Rusisë, foli për gazetën franceze Le Figaro, duke komentuar debatin e ashpër mes presidentit Trump, nënkryetarit Vance dhe presidentit ukrainas Volodimir Zelensky muajin e kaluar. Edhe pse e cilëson JD Vance-in si një njeri të mirë dhe inteligjent, Nate e përshkroi atë takim si një “kurth me qëllime absolutisht të këqija.”

“Të qenit familje nuk do të thotë se do të rri duarkryq”

Nate Vance ka shprehur zhgënjimin e tij për qëndrimin e kushëririt të tij ndaj Ukrainës. “Fakti që jam pjesë e familjes tënde nuk do të thotë se do të rri mënjanë dhe të shoh sesi për shkak të teje vriten shokët e mi,” deklaroi ai për Le Figaro.

Ai gjithashtu tha se ishte i zemëruar me deklaratat e JD Vance, i cili dyshonte për Zelenskyn bazuar në “raporte të caktuara që kishte lexuar” dhe për pohimin e tij se lideri ukrainas duhet t’i jetë mirënjohës presidentit Trump për përpjekjet e tij për të ndalur luftën.

“Rusët nuk do ta harrojnë mbështetjen tonë për Ukrainën”

“Mendova se do të më merrej fryma kur JD filloi të justifikonte mosbesimin e tij ndaj Zelenskyt,” tha Nate Vance. Ai shtoi se Donald Trump dhe kushëriri i tij gabojnë nëse mendojnë se mund të qetësojnë Putinin.

“Rusët nuk do ta harrojnë kurrë mbështetjen tonë për Ukrainën. Ne jemi thjesht ‘idiotë të dobishëm’ për Putinin,” deklaroi ai.

Nate Vance shtoi se kishte lënë mesazhe në zyrën e kushëririt të tij për këtë çështje, duke u bazuar në përvojën e tij nga vijat e frontit në Ukrainë. “Mund t’i kisha thënë të vërtetën pa filtra, pa interesa personale, por ai kurrë nuk u përpoq të më dëgjonte,” tha ai.

JD Vance: Nuk kam dëshirë të debatoj me të publikisht

Nate Vance përsëriti kritikat e tij edhe gjatë një interviste në emisionin Erin Burnett OutFront në CNN, duke thënë se e kishte befasuar ajo që kishte parë në Zyrën Ovale. “Ka një nivel të caktuar mirësjelljeje që duhet respektuar. Nuk jam aq naiv sa të besoj se liderët kombëtarë nuk debatojnë pas dyerve të mbyllura, por kur e bën këtë publikisht dhe e poshtëron dikë deri në atë pikë sa të detyrohet të mbrohet, është zhgënjyese,” tha ai.

Në një deklaratë për Fox News Digital, nënkryetari JD Vance theksoi se nuk kishte folur kurrë publikisht për shërbimin e kushëririt të tij, sepse nuk dëshironte ta vinte atë në rrezik.

“Sa i përket kritikave të tij, nuk kam asnjë dëshirë të debatoj me të publikisht. Por duhet të ndalem te një çështje e veçantë: ai pretendon se nuk kam reaguar ndaj përpjekjeve të tij për të më kontaktuar. Nuk e kuptoj pse Nate mendoi se duhej të kontaktonte zyrën time në Senat, në vend që të fliste me nënën, babanë apo motrën e tij, me të cilët jam në kontakt të rregullt,” tha JD Vance.

Kategoritë
BotaLajme