JD Vance refuzoi planin evropian për Ukrainën: “Asgjë nuk do t’i mbrojë shtetet që nuk kanë luftuar për 30 vjet”

Nënkryetari i SHBA-së, JD Vance, në një intervistë për televizionin konservator Fox News, hodhi poshtë mundësinë që SHBA-ja të marrë pjesë në planin evropian për përfundimin e luftës në Ukrainë.

Përveç refuzimit të qartë të mbështetjes amerikane për këtë plan, Vance arriti gjithashtu të ofendonte aleatët që SHBA-ja ka në Evropë.

“Nëse doni garanci sigurie, nëse doni që Vladimir Putin të mos nisë një sulm të ri, atëherë jepuni amerikanëve një interes ekonomik në të ardhmen e Ukrainës. Kjo është një garanci shumë më e mirë sigurie sesa ndonjë shtet i rastësishëm që nuk ka luftuar për 30 ose 40 vjet,” tha Vance.

Menjëherë pas këtyre deklaratave, Franca dhe Britania e Madhe, dy shtetet që promovuan planin evropian për zgjidhjen e luftës në Ukrainë, reaguan ashpër ndaj komenteve të Vance-it.

Mediet britanike, madje edhe ato të lidhura me Partinë Konservatore, e kritikuan ashpër Vance-in për këtë koment, duke e kujtuar atë për mijëra ushtarë britanikë që, së bashku me SHBA-në, kanë luftuar në shumë vende të botës gjatë 20 viteve të fundit.

Një reagim i ngjashëm erdhi edhe nga Franca, ushtria e së cilës gjithashtu ka marrë pjesë në operacionet ushtarake të udhëhequra nga SHBA-ja gjatë dekadave të fundit.

Për shkak të këtyre reagimeve, Vance u detyrua të sqaronte deklaratat e tij në rrjetet sociale.

“Nuk e përmenda Francën dhe Britaninë e Madhe, dhe ushtarët e këtyre dy shteteve kanë luftuar me guxim krah trupave amerikane gjatë 20 viteve të fundit. Megjithatë, ka shumë shtete që ofrojnë mbështetje, por që nuk kanë asnjë përvojë në luftë ose pajisjet ushtarake të nevojshme për të bërë diçka domethënëse,” shkroi ai në X.

Të rikujtojmë se plani amerikan për Ukrainën do t’i sillte SHBA-së 50% të të ardhurave nga shitja e mineraleve të rralla që ndodhen në këtë vend, por pa asnjë garanci për një reagim nga Uashingtoni në rast se Rusia ndërmerr një tjetër pushtim.

Plani evropian ende nuk është publikuar plotësisht, por ajo që dihet është se përfshin një armëpushim njëmujor, gjatë të cilit do t’i jepej mundësia Rusisë dhe Ukrainës të negociojnë për përfundimin përfundimtar të kësaj agresioni që filloi në vitin 2022./Gazetaere

Kategoritë
BotaLajme