Jep dorëheqje kryetari i Komunës së Koçanit, Lupço Papazov

“Në këto momente më të vështira për vendin tonë dhe për mua personalisht, dua të njoftoj se jap dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryetarit të Komunës së Koçanit”, shkroi Papazov në rrjetet sociale

Kryetari i Komunës së Koçanit, Lupço Papazov njoftoi se ka dhënë dorëheqje nga detyra e tij si kryetar komune, pas tragjedisë në Koçani ku si pasojë e një zjarri në diskotekë humbën jetën dhjetëra persona, raporton Anadolu.

“Në këto momente më të vështira për vendin tonë dhe për mua personalisht, dua të njoftoj se jap dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryetarit të Komunës së Koçanit”, shkroi Papazov në rrjetet sociale duke shtuar se “kjo humbje është e madhe”.

“Nuk ka fjalë që mund të përshkruajnë dhimbjen që ndiejmë të gjithë. Ata fëmijë ishin fëmijët tanë. I njihja shumicën prej tyre, i njihja familjet e tyre dhe disa prej tyre ishin miq të familjes”, shto ai.

Papazov kërkoi nga të gjitha institucionet kompetente që të hetojnë përgjegjësinë e të gjithë të përfshirëve, duke theksuar se është i gatshëm t’i përgjigjet të gjitha pyetjeve të institucioneve, edhe pse siç tha ai “sipas ligjit nuk kisha përgjegjësi të drejtpërdrejtë në këtë rast”.

Kujtojmë se të paktën 59 persona humbën jetën dhe rreth 155 të tjerë u plagosën si pasojë e një zjarri që shpërtheu në një diskotekë në Koçani në një ngjarje argëtimi nga një grup muzikor.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut mbrëmë në një seancë qeveritare të jashtëzakonshme pas tragjedisë në Koçani shpalli shtatë ditë zie në mbarë territorin e vendit.

Kategoritë
LajmeRajoni