Jerusalem – Diplomatët e huaj protestojnë uzurpimin e hotelit historik “Petra” nga kolonët hebrenj

Uzurpimi i një pjese të hotelit historik “Petra” në Jerusalemin Lindor të pushtuar nga kolonët hebrenj të shoqëruar nga policia izraelite, u protestua me një takim ku morën pjesë edhe diplomatët e huaj.

Diplomatët evropianë, si dhe konsulli i përgjithshëm i Turqisë në Palestinë, ambasadori Ahmet Riza Demirer, morën pjesë në protestën në hotelin “Petra” në Jerusalemin Lindor.

Palestinezët që morën pjesë në protestë dhe përfaqësuesit e kishave në Jerusalem kërkuan që kolonët hebrenj të largohen nga pjesa e hotelit “Petra” që kishin pushtuar.

Patriarku i Kishës Ortodokse Greke të Jerusalemit Theophilos i 3-të tha në një deklaratë se: “Për fat të keq, ne dhe përfaqësuesit e kishave të tjera kemi paralajmëruar vazhdimisht për aktivitetet e paligjshme të ekstremistëve (Ateret Cohanim). Ky grup që kryen krime vepron sikur është mbi ligjin.”

Patriarku Theophilos i 3-të gjithashtu tha se: “Ekstremistët izraelitë po synojnë dhe po pushtojnë qytetin tonë të dashur të lashtë të Jerusalemit. Ata imponojnë veprimet e tyre të paligjshme dhe të rrezikshme ndaj të gjithëve.”

Në mbrëmjen e 27 marsit, kolonët hebrenj uzurpuan pjesën e hotelit historik “Petra”, i cili i përket Patrikanës Ortodokse Greke në Jerusalem dhe që i ishte dhënë me qira një familjeje palestineze.

Shoqata “Ateret Cohanim”, e drejtuar nga hebrenj fanatikë, shpesh padit palestinezët, duke pretenduar se shtëpitë, ku palestinezët kanë jetuar për breza në Jerusalemin Lindor, u përkasin hebrenjve.

Gjykatat izraelite në përgjithësi marrin vendime në favor të shoqatës në fjalë, duke legjitimuar pushtimin dhe vendbanimet e paligjshme.

Kategoritë
BotaLajme