Jo vetëm McTominay, edhe një tjetër lojtar i Man United pritet t’i bashkohet Napolit

Një prej lojtarëve aktual të Manchester United pritet t’i bashkohet Scott McTominay tek Napoli së shpejti. 

28-vjeçari u transferua në Serie A në gusht të këtij viti në një marrëveshje të vlefshme prej 25.7 milionë eurosh. 

Deri më tani, ai ka shkëlqyer nën urdhrat e Antonio Contes, me McTominay që ka luajtur në 13 nga 16 ndeshjet e zhvilluara deri më tani në kampionat, duke shënuar tre gola dhe duke bërë dy asistime.

Një tjetër ish-lojtar i Unitedit, Romelu Lukaku po ashtu po shijon jetën në Itali, pasi me gjashtë golat dhe katër asistimet e tij, ka ndihmuar klubin të ngjitet në pozitën e dytë në tabelë. 

Sipas The Athletic, Napoli është futur në treg në kërkim të një mbrojtësi dhe tashmë është raportuar se po e konsiderojnë Harry Maguire si një opsion të mundshëm. 

Reprezentuesi anglez nënshkroi për Unitedin nga Leicester City për një shifër rekord botërore prej 80 milionë eurosh në gusht të 2019. 

Maguire ka luajtur në tetë ndeshje si titullar dhe në pesë të tjera nga banka gjatë sezonit 2024/2025, por Ruben Amorim duket se po favorizon emra si Lisandro Martinez, Matthijs De Ligt dhe Leny Yoro para tij. 

Kontrata e tij me Unitedin skadon në qershor të vitit 2025 dhe ai do të jetë në gjendje të negociojë me klubet e huaja sapo të hapet afati kalimtar i janarit. 

Kjo do të thotë se ai do të ishte në gjendje t’i bashkohet gjigantit italian në sezonin 2024/2025 pa pasur nevojë ata të paguajnë ndonjë shumë në drejtim të klubit anglez.

Kategoritë
LajmeSport