Joe Biden i kthen letrën ushtarit boshnjak: Çdo herë do të jemi pranë miqve tanë kudo në botë

Ish luftëtari i Armatës së BeH-së, Mirasd Kurtagiç, kishte vendosur ti dërgoj një letër presidentit amerikan Joe Biden pak pas vizitës së tij të fundit në Kiev dhe Varshavë

Kemal Zorlak ​​

Ish-pjesëtari i Armatës së Republikës së Bosnjë e Hercegovinës, Mirsad Kurtagiç, së fundmi i dërgoi një letër presidentit të SHBA-së, Joe Biden, menjëherë pas vizitës së tij në Kiev në shkurt të këtij viti, në të cilën ai kritikoi administratën amerikane në kontekstin e qëndrimit të saj ndaj BeH-së, konkretisht duke krahasuar qëndrimin e SHBA-së ndaj BeH-së, gjatë agresionit dhe sot, dhe qëndrimin e saj ndaj luftës në Ukrainë. Katër ditë më vonë në adresën e Kurtagiç mbërriti një përgjigje nga presidenti amerikan Biden, shkruan Anadolu.

Kurtagiç ia tregoi gazetarit të Anadolu përmbajtjen e letrës që i ka dërguar presidentit amerikan si dhe përgjigjen që ka marrë nga njeriu i parë i SHBA-së. Letra e Kurtagiç-it drejtuar Bidenit fillon me fjalët e mëposhtme:

“I nderuari President Biden, mendoj se jeni i obliguar t’i ndihmoni qytetarët e shtetit të Bosnjës që euforia dhe entuziazmi i deritanishëm të mos çojë në zhgënjim, sepse qytetarët e Bosnjë e Hercegovinës nuk e meritojnë një gjë të tillë!.

Më pas ai i referohet vizitës së presidentit amerikan në Kiev dhe Varshavë në shkurt të këtij viti.

“Për të disatën herë është vërtetuar që nuk duhet besuar premtimeve që nuk shoqërohen me vepra. Po, ky është rasti me vendlindjen time, në çfarë baze ndjej se kam të drejtë t’ju drejtohem juve. Në bazë të premtimeve tuaja, edhe unë derdha gjakun tim duke mbrojtur parimet e demokracisë për të cilat ju flisni shumë shpesh, veçanërisht kohët e fundit gjatë qëndrimit tuaj në Kiev dhe Varshavë. Në Kiev fjalët tuaja pasohen nga vepra, ndryshe nga ajo që ndodhi në Bosnjë, ku nuk ishte kështu”.

Ai rikujtoi se si kabineti i (ish-presidentit amerikan Bill) Clinton dhe një numër senatorësh, në mesin e të cilëve, siç thekson Kurtagiç në letër, veçohej vetë Biden, sollën një paqe të padrejtë, por edhe shpërblyen kriminelët dhe armiqtë. Përveç gjithë kësaj, shton Kurtagiç, në BeH sot delegohet (i dërguari special amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel) Escobar që promovon segregacionin dhe aparteidin”.

Në letër, Kurtagiç potencon se si i kishte shkruar edhe më parë Bidenit për këtë temë, por nuk kishte marrë përgjigje.

“Të shkrova me argumente për këtë dhe as nuk mendove të më përgjigjesh, pak e shëmtuar apo jo dhe zhgënjyese nga njeriu i parë ndër të parët, ndryshe nga zyrtarët e tjerë që gjetën kohë dhe u përgjigjën, faleminderit shumë. Do të ishte mirë dhe e sjellshme, sepse unë jam mjaft i vjetër dhe mbi të gjitha, një person me aftësi të kufizuara që jam bërë duke mbrojtur parimet e demokracisë dhe mënyrën e jetesës në Amerikë dhe në të gjitha vendet e zhvilluara në botë. Për dallim nga ju, unë kam marrë përgjigje nga disa zyrtarë të tjerë të cilëve u kam dërguar letra”, ka thënë Kurtagiç në letrën drejtuar Bidenit.

Kurtagiç për situatën e tillë tha se është për shkak të mos-pasjes së një ekzekutuesi të aktgjykimeve ndërkombëtare, sepse “përfaqësuesit ndërkombëtarë në krye të BeH-së sillen në mënyrë të papërgjegjshme dhe nxisin konflikte të ndryshme që mund të kapërcehen vetëm me përfshirjen tuaj konkrete. Mendoj se është koha e fundit që t’u thuash STOP”.

“Është e vërtetë se më lëndojnë shprehjet tuaja të konceptit të demokracisë, nga Kievi dhe Varshava, sepse nuk kanë jehonë në Bosnjë, sepse nuk na është dhënë asgjë përveç ndihmës nga aspekti i Kryqit të Kuq. Mesazhet e thëna nga ju më kthejnë në kujtesë ngjarjet e luftës së viteve 1992, ’93, ’94 dhe ’95, në të cilën gjatë vizitës suaj mund të shihnit se duart e patriotëve të RBeH-së ishin të lidhura deri në atë masë dhe se ju ndaluat veprimtarinë tonë çlirimtare pranë Banja Llukës edhe pse ishim nën embargo armësh. Krahasuar me këtë, Ukraina është në një pozitë shumë më të favorshme, sepse ka mbështetjen tuaj, dhe mund të them lirisht edhe atë të gjithë botës së zhvilluar, sepse veprat përputhen me fjalët dhe premtimet, ndryshe nga ne që kishim vetëm patriotë dhe litrat e gjakut të tyre që e lau tokën tonën. Nuk dua të kthehem në ngjarjet e luftës, por ju e dini shumë mirë se gjatë vitit 1993 duart e patriotëve të BeH-së ishin të lidhura dhe të kufizuara nga embargoja që përfundoi me Marrëveshjen e padrejtë të Paqes së Dejtonit që shpërbleu kriminelët.

Përgjigjja e Bidenit për Kurtagiç: Do ta kem parasysh mesazhin tuaj

Përgjigja në adresën e Kurtagiç nga Shtëpia e Bardhë erdhi më 27 shkurt, katër ditë pasi ai i dërgoi letrën Bidenit, ku thuhet:

“I nderuar z.Kurtagiç, faleminderit që më keni shkruar për politikën e jashtme amerikane. Sfidat me të cilat përballet bota jonë sot tregojnë se sa të ndërlidhur jemi dhe si janë të lidhur fatet e të gjithë njerëzve. Duke filluar nga uria dhe ndryshimet klimatike deri te luftërat dhe pandemitë, asnjë vend i vetëm nuk mund t’i zgjidhë këto probleme të përbashkëta ndërsa Amerika nuk mund t’i lejojë vetes mungesën në skenën botërore. Udhëheqja jonë politike dhe ekonomike do të jetë gjithmonë e rrënjosur në vlerat tona më të larta: mbrojtja e demokracisë, promovimi i lirisë, mbrojtja e mundësive, promovimi i të drejtave të njeriut, respektimi i shtetit të së drejtës dhe trajtimi i çdo personi me dinjitet”, tha Biden.

Ai theksoi se administrata e tij e ka kthyer diplomacinë në fokusin e politikës së jashtme amerikane, duke punuar në bashkëpunim të ngushtë me aleatët dhe partnerët e saj për të mbrojtur lirinë, sovranitetin dhe të ardhmen e përbashkët.

“Së bashku, ne vazhdojmë të qëndrojmë në solidaritet me Ukrainën, t’i shkaktojmë dëme Rusisë dhe të promovojmë përgjegjësinë për krimet dhe krimet e luftës të kryera kundër popullit ukrainas. Jemi duke udhëhequr përpjekjet globale kundër pasigurisë ushqimore dhe urisë. Gjithashtu, axhenda jonë vendimtare klimatike tashmë ofron investimet historike në vend si dhe angazhimet globale për të ndaluar shkatërrimin e klimës”, shton Biden.

“Amerika do të vazhdojë të udhëhiqet nga diplomacia dhe unë kurrë nuk do të hezitoj të mbroj popullin tonë, vlerat tona të çmuara dhe interesat tona jetike, përfshirë përdorimin e forcës kur është e nevojshme. Do të qëndrojmë gjithmonë me miqtë tanë në mbarë botën dhe me ata që janë të përkushtuar për themelet e qëndrueshme të paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar. Unë do ta kem parasysh mesazhin tuaj ndërsa angazhohemi që të përballemi me sfidat e kohës sonë. Zoti e bekoftë Amerikën dhe Zoti i ruajt trupat tona, diplomatët tanë dhe të gjithë ata që shërbejnë në kushte të rrezikshme. Me respekt”, thuhet në letrën e nënshkruar nga presidenti amerikan Joe Biden

Mirsad Kurtagiç ka lindur në vitin 1953 në Sarajevë, ka diplomuar në Fakultetin e Shkencave Politike dhe Juridike, gjegjësisht ka marrë titullin politolog dhe jurist i diplomuar.

Pas shpërthimit të luftës, apo para luftës, ai u përfshi aktivisht në përgatitjet e rezistencës së armatosur ndaj agresionit. Menjëherë para luftës, si pjesëtar rezervë i MPB-së së RBeH më 18 shtator 1991, u vu në dispozicion për mbrojtjen e atdheut të tij, Republikës së Bosnjë e Hercegovinës. Paralelisht ai vihet në dispozicion edhe të Mbrojtjes Territoriale dhe së bashku me shokët e tyre nga “Beretat e Gjelbra” formuan RJ “Zmaj od Bosna” (Dragoi nga Bosnja). Gjatë luftës ka qenë pjesëmarrës aktiv dhe ka marrë pjesë në të gjitha operacionet luftarake. Gjatë luftës, ai u plagos disa herë. Gjatë plagosjes së fundit, në pozitën e komandantit të njësisë manovruese të MPB-së, iu amputua këmba e djathtë me një sërë komplikimesh.

Ai ka marrë disa mirënjohje, lëvdata, certifikata falënderimi, ndër të cilat veçohen: pllakata e Këshillit të Sigurimit, Këshillit për Mbrojtjen Kombëtare si dhe qytetit të Sarajevës, medaljen “Merita e Popullit” si dhe gjatë periudhës së luftës, Lëvdatën e Korpusit të Parë dhe Distinktivin e Artë të Policisë së BeH-së për guximin e treguar dhe shembullin në betejat e armatosura ndërsa në periudhën e pasluftës iu dha Dekorata e “Zambakut të Artë”.

Kategoritë
BotaLajmeRajoni