Britania e Madhe do të dërgojë ekspertë ushtarakë në Bosnje-Hercegovinë për të kundërshtuar ndikimin rus si dhe “për të forcuar misionin e NATO-s, dhe për të promovuar stabilitetin dhe sigurinë”, tha qeveria britanike sot.
“Ne nuk mund të lejojmë që Ballkani Perëndimor të bëhet një tjetër shesh i lojërave për synimet shkatërruese të Putin”, thuhet në deklaratën e kryeministrit britanik, Boris Johnson.
“Duke ndezur flakët e secesionizmit dhe sektarizmit, Rusia përpiqet t’i kthejë mbrapsht sukseset e tri dekadave të fundit në Bosnje-Hercegovinë”, shtoi ai.
Andaj, tha Johnson, kjo është arsyeja që “ne po forcojmë mbështetjen për Bosnje-Hercegovinën”.
“Ne po i përgjigjemi thirrjes së miqve tanë për të ndihmuar në mbrojtjen e paqes”, tha ai.
Sipas njoftimit të Qeverisë britanike, dy ekspertë për luftën kundër dezinformimit dhe reformën e mbrojtjes, do të punojnë me Forcat e Armatosura të Bosnje-Hercegovinës dhe NATO-n, për të ruajtur paqen dhe sigurinë në këtë vend.
Britania do të sigurojë, po ashtu, fonde për rritjen e sigurisë kibernetike atje.