Jordania thirrje për presion ndërkombëtar mbi Izraelin për të lejuar ndihmat në Gaza

Ministri i Jashtëm jordanez, Al-Safadi i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të ushtrojë gjithë presionin e mundshëm mbi Izraelin për të lejuar hyrjen e ndihmave në Gaza

Ministri i Jashtëm i Jordanisë, Ayman al-Safadi i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të ushtrojë gjithë presionin e mundshëm mbi qeverinë e Tel Avivit për të lejuar hyrjen e ndihmave në Gaza, transmeton Anadolu.

Duke folur në “Konferencën Ministrore të Kajros” për të forcuar ndërhyrjen humanitare në Gaza, Al-Safadi tha: “Njerëzit janë të uritur në Rripin e Gazës, ne duhet të ndërmarrim veprime menjëherë”.

Ai i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të ushtrojë të gjitha llojet e presioneve mbi Izraelin për të lejuar hyrjen e ndihmave humanitare. Al-Safadi tha se vendi i tij po bën gjithçka që mundet për të ofruar ndihma në Gaza dhe se OKB-së duhet t’i jepet mundësia për të shpërndarë ndihma në Gaza.

Sa i përket çështjes palestineze, kryediplomati jordanez tha: “Kolonët hebrenj synojnë palestinezët në Bregun Perëndimor. Kjo situatë sjell më shumë shkatërrim dhe ekstremizëm. Zgjidhja me dy shtete është zgjidhja e vetme për t’i dhënë fund krizës, por nuk ka asnjë hap të vërtetë për ta zbatuar atë”.

Në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori, janë vrarë 44.466 palestinezë, përfshirë 17.492 fëmijë dhe 11.979 gra ndërsa 105.358 persona u plagosën.

Ndërsa raportohet se ka ende mijëra të vdekur nën rrënoja, infrastruktura civile po shkatërrohet duke synuar spitalet dhe institucionet arsimore ku njerëzit ishin strehuar.

Kategoritë
BotaLajme