Jurgen Klopp ka një punë të re te Red Bull, ka nënshkruar një kontratë me një klauzolë speciale

Trajneri i famshëm gjerman Jurgen Klopp (57) nga janari do të jetë “Kreu Global i Futbollit” (Global Head of Soccer) te Red Bull.

Klopp tashmë ka nënshkruar një kontratë afatgjatë dhe rolin e tij të ri te Red Bull do ta fillojë më 1 janar 2025, ka raportuar Sky Sports gjerman.

Eksperti gjerman do të provojë veten në rolin e menaxherit strategjik dhe do të jetë përgjegjës për rrjetin ndërkombëtar të të gjithë klubeve të futbollit të lidhura me Red Bull-in. Jo në mënyrë aktive, por strategjikisht.

Klopp do të jetë mbështetje dhe ndihmë për drejtuesit e RB Leipzig, Salzburg dhe New York Red Bulls, ndër të tjera, si dhe në zhvillimin e mëtejshëm të filozofisë së futbollit të Red Bull-it. Ai gjithashtu pritet të përdorë rrjetin e tij për skautim dhe përzgjedhjen e trajnerëve dhe talenteve, ndër të tjera në Brazil dhe Japoni.

Megjithatë, sipas Sky Sports, Klopp në kontratën e tij ka një klauzolë të veçantë që lidhet me një angazhim të mundshëm në kombëtaren e Gjermanisë, dhe nëse një ditë merr një ofertë, i është garantuar një opsion për t’u larguar nga Red Bull.

Kujtojmë se Klopp, pas nëntë viteve, në fund të sezonit të kaluar, u largua nga Liverpool-i, pas së cilës deklaroi se për një periudhë të caktuar do të ndërpriste karrierën e tij si trajner.

Gjatë karrierës së tij, ai ka qenë dy herë kampion i Gjermanisë me Borussia-n, duke fituar edhe një Kupë dhe një Superkupë. Nga ana tjetër, ai riktheu titullin e kampionit të Anglisë te Liverpool-i pas plot 30 vitesh dhe koleksionit të tij të trofeve i shtoi edhe një Ligë të Kampionëve, një FA Cup, dy Kupa të Ligës, Community Shield, Superkupën e UEFA-s dhe Kampionatin Botëror për Klube.

Kategoritë
Sport