Një juri në shtetin federal amerikan të Kalifornisë ka urdhëruar zinxhirin global të kafeterive Starbucks të dëmshpërblejë me 50 milionë dollarë një shofer shpërndarës, i cili pësoi djegie të rënda për shkak të kapakëve të paqëndrueshëm të pijeve të nxehta.
Bëhet fjalë për Michael Garcia, i cili në Los Anxhelos mori pije nga Starbucks dhe, siç thuhet në padinë e paraqitur në Gjykatën e Lartë të Kalifornisë në vitin 2020, pësoi djegie të rënda dhe dëmtime të rënda nervore në zonën gjenitale, pasi pijet e nxehta iu derdhën në prehër. Përveç kësaj, Starbucks u akuzua edhe për neglizhencë në trajtimin e tij mjekësor, i cili dështoi.
Avokati i tij, Michael Parker, deklaroi se klienti i tij kishte marrë tre pije dhe asnjë prej tyre nuk kishte një kapak të vendosur siç duhet. Pasi Garcia mori porosinë, pijet u derdhën mbi të.
Gjatë dhënies së vendimit, juria deklaroi se ai ka përjetuar dhimbje fizike dhe mendore, poshtërim, siklet, dëmtim fizik, ankth, stres emocional dhe humbje të cilësisë së jetës.
Nga ana tjetër, Starbucks njoftoi se do të apelojë vendimin e jurisë.
“Ne ndjejmë keqardhje për z. Garcia, por nuk jemi dakord me vendimin e jurisë që na shpall fajtorë për këtë incident dhe besojmë se dëmshpërblimi i përcaktuar është jashtëzakonisht i lartë. Ne kemi qenë gjithmonë të përkushtuar ndaj standardeve më të larta të sigurisë, përfshirë trajtimin e pijeve të nxehta,” tha një zëdhënës i Starbucks.
Sipas CNN, ky rast kujton padinë e famshme kundër zinxhirit të restoranteve McDonald’s në vitin 1994, kur Stella Liebeck derdhi kafe të nxehtë në prehër dhe pësoi djegie të shkallës së tretë. Gjyqësori atëherë vendosi që ajo të dëmshpërblehej me tre milionë dollarë.