Ka ndërruar jetë australiani gjaku i të cilit shpëtoi 2.4 milionë foshnja

Ka ndërruar jetë një nga dhuruesit më të mëdhenj të gjakut në botë, plazma e të cilit ka shpëtuar jetën e më shumë se dy milionë foshnjave.

James Harrison (88 vjeç) ndërroi jetë në gjumë më 17 shkurt në një shtëpi pleqsh në Uellsin e Ri Jugor në Australi, njoftoi familja e tij të hënën.

I njohur në Australi si “njeriu me dorën e artë”, gjaku i Harrison-it përmbante një antitrup të rrallë, Anti-D, i cili përdoret për prodhimin e ilaçeve për gratë shtatzëna, gjaku i të cilave rrezikon të sulmojë foshnjën e tyre të palindur, shkruan BBC.

Shërbimi i gjakut i Kryqit të Kuq Australian, i cili nderoi Harrison-in, deklaroi se ai ishte angazhuar të bëhej dhurues pasi kishte marrë një transfuzion gjaku gjatë një operacioni të rëndë në kraharor kur ishte vetëm 14 vjeç.

Ai filloi të dhuronte plazmë kur ishte 18 vjeç dhe vazhdoi ta bënte këtë çdo dy javë, deri në moshën 81-vjeçare.

Në vitin 2005, ai vendosi një rekord botëror për sasinë më të madhe të dhuruar të plazmës së gjakut, një titull që e mbajti deri në vitin 2022, kur u tejkalua nga një burrë në Shtetet e Bashkuara.

Vajza e Harrison-it, Tracey Mellowship, tha se babai i saj ishte “shumë krenar që kishte shpëtuar kaq shumë jetë, pa kosto apo dhimbje”.

“Ai gjithmonë thoshte se nuk të dhemb, dhe jeta që shpëton mund të jetë e jotja”, tha ajo.

Mellowship dhe dy nipërit e Harrison-it gjithashtu kanë marrë imunizimin Anti-D.

“James-it i bënte shumë kënaqësi të dëgjonte për familje të shumta si e jona, të cilat ekzistojnë falë mirësisë së tij,” shtoi ajo.

Si funksionon Anti-D?

Imunoglobulina Anti-D neutralizon të gjithë antigenët RhD pozitivë që mund të kenë hyrë në gjakun e nënës gjatë shtatzënisë. Anti-D mbron foshnjat e palindura nga një çrregullim i rëndë dhe shpesh fatal i gjakut, i quajtur sëmundja hemolitike e fetusit dhe e të porsalindurit.

Ky problem shfaqet kur qelizat e kuqe të gjakut të nënës nuk janë të përputhshme me ato të bebes në zhvillim.

Si pasojë, sistemi imunitar i nënës i sheh qelizat e gjakut të foshnjës si një kërcënim dhe prodhon antitrupa për t’i sulmuar ato. Ky proces mund të shkaktojë anemi të rëndë, dështim të zemrës, ose edhe vdekje të foshnjës.

Nuk dihet saktësisht se si gjaku i Harrison-it u bë kaq i pasur me Anti-D, por disa raporte sugjerojnë se kjo lidhet me transfuzionin masiv të gjakut që ai mori kur ishte 14 vjeç.

Kategoritë
BotaLajme