Ka ndryshime të strukturës së popullsisë në Kosovë

Trendi në rënie i lindjeve dhe ai në rritje i migrimit të popullsisë mund të shkaktojnë ndryshime demografike në Kosovë. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, që nga viti 2014, Kosova ka regjistruar rënie të natalitetit pothuajse për çdo vit.

Në vitin 2014, numri i lindjeve të gjalla ka qenë 25,929. Në vitin 2019 janë regjistruar 21,798 lindje të gjalla, ndërsa në vitin 2020 – 18,188. Rritje ka pasur vetëm vitin e kaluar, kur janë regjistruar 28,549.

Faktorët sociologjikë

Në një anketë të Radios Evropa e Lirë, të realizuar në Prishtinë, gra dhe burra veçojnë kushtet ekonomike si një nga faktorët kryesorë që ndikojnë në vendimin e prindërve të rinj për të pasur më pak fëmijë.

“Mospunësimi… kërkojnë standard më të mirë… nuk mund t’ia plotësojnë kushtet”, janë arsyet që Arifi mendon se çojnë në më pak lindje.

“Pak është dinamizmi i jetës që ta imponon të mos kesh shumë fëmijë. Me kalimin e viteve e kam parë që për ta rritur një fëmijë mirë, duhet shumë mund”, thotë Elmina, me profesion gazetare.

Ekspertë të sociologjisë dhe antropologjisë e ndërlidhin rënien e natalitetit në Kosovë me, siç thonë, ndryshimet shoqërore dhe ekonomike që ka pësuar shoqëria, viteve të fundit.

Kosova, ndër vite, ka pasur natalitet të lartë dhe kjo ka ndodhur për shkak se “kemi qenë shoqëri më agrare; kjo ka ndikuar në mënyrën se si është strukturuar familja”, thotë Luci.

Sipas Lucit, shoqëria sot është e orientuar drejt profitit, ndërsa është më i vështirë balancimi i të pasurit më shumë fëmijë me dy prindër që punojnë me orar të plotë.

Tahir Latifi, profesor në Departamentin e Antropologjisë, thotë se transformimet shoqërore, ekonomike dhe politike të pasluftës së vitit 1998-99 “natyrshëm kanë prekur edhe strukturën e familjes, e si rrjedhojë edhe tranzicionin demografik”.

Kategoritë
LajmeVendi