“Politikanët duhet t’i kapërcejnë dhe jo t’i thellojnë ndarjet dhe kjo është shumë e rëndësishme për stabilitetin e Bosnjë e Hercegovinës dhe të rajonit më gjerë”, tha Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kallas
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri dhe zëvendës presidente e Komisionit Evropian, Kaja Kallas tha sot në Podgoricë se nuk ka tolerancë për sulmet ndaj rendit kushtetues të Bosnjë e Hercegovinës dhe se për stabilitetin e rajonit, politikanët duhet t’i kapërcejnë dhe jo t’i thellojnë ndarjet, raporton Anadolu.
Kallas në Podgoricë filloi vizitën e saj të parë zyrtare në vendet e Ballkanit Perëndimor, gjatë së cilës do të vizitojë edhe Shqipërinë dhe Bosnjë e Hercegovinën.
Pas takimit me kryeministrin malazez Milojko Spajiq në Villa Goricë, Kallas theksoi se Mali i Zi është partner jashtëzakonisht i rëndësishëm i BE-së dhe se ka bërë përparim të mirë në rrugën evropiane.
“Këto takime janë mundësi për të nënvizuar edhe një herë mbështetjen tonë për Malin e Zi dhe rrugën drejt Bashkimit Evropian. Unë e mirëpres angazhimin tuaj ndaj reformave, sepse ne e dimë se anëtarësimi kërkon reforma komplekse dhe mendoj se mund të jetë frymëzim për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor”, tha ajo.
– “Nuk ka rrugë të shkurtra”
Kallas theksoi se “nuk ka rrugë të shkurtra” në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por se është e nevojshme të kryhen reforma adekuate. Ajo përshëndeti marrëveshjen mes qeverisë dhe opozitës në Mal të Zi, e cila së fundmi mundësoi vazhdimin e punës së parlamentit të vendit.
“Tani duhet të fokusoheni te reformat, sepse ka mbetur shumë për të bërë. Ju siguroj se ne jemi këtu për ju në çdo hap”, tha ajo.
Kallas e cilësoi planin e rritjes së BE-së në Ballkanin Perëndimor si mbështetje për zhvillimin e këtij rajoni dhe afrimin e tij me Bashkimin Evropian. Ajo u shpreh e kënaqur që këtë muaj Malit të Zi do t’i paguhen 26 milionë euro nga fondet e paraqasëse.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së tha se në takim është biseduar për forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes në “kohën e trazuar” aktuale. Ajo shtoi se Mali i Zi gjithashtu përfiton nga mbështetja e BE-së për Njësinë Mjekësore Ballkanike në kuadër të paketës rajonale që forcon kapacitetet mjekësore ushtarake.
Kallas falënderoi Malin e Zi për mbështetjen e rezolutës së Kombeve të Bashkuara (OKB) për Ukrainën dhe për mbështetjen e integritetit territorial të Ukrainës së prekur nga lufta.
Ajo theksoi rëndësinë e respektimit të Kartës së OKB-së si mbrojtje ombrellë e “të gjitha shteteve të vogla”.
“Jam gjithashtu mirënjohëse ndaj jush që pranuat refugjatë ukrainas. Nëse e kuptova mirë, ju keni pranuar më shumë refugjatë ukrainas për frymë se çdo vend tjetër në botë”, tha Kallas.
– Ruajtja e një mjedisi të sigurt
Komisionerja e Lartë shprehu shqetësim të thellë për situatën e sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, e cila është një nga temat kryesore të turneut të saj aktual rajonal.
“Nesër do të vizitoj Sarajevën, Bosnjë e Hercegovinën, por nuk mund të tolerojmë sulme ndaj unitetit dhe rendit kushtetues të vendit. Politikanët kanë përgjegjësi të madhe të punojnë së bashku dhe ta bëjnë vendin të përparojë drejt Bashkimit Evropian. Ata duhet t’i kapërcejnë dhe jo t’i thellojnë ndarjet. Kjo është shumë e rëndësishme për stabilitetin e Bosnjë e Hercegovinës dhe më gjerë”, tha Kallas.
Ajo theksoi se BE-ja ka rritur numrin e anëtarëve të misionit të sigurisë në terren për të mbështetur autoritetet lokale në ruajtjen e një mjedisi të sigurt.
“Mendoj se është shumë e rëndësishme që të mos krijohet një vakum sigurie”, tha ajo.
E pyetur nga gazetarët për planet e BE-së lidhur me vazhdimin e procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Kallas tha se ky është proces në vazhdim dhe se janë në kontakt me përfaqësuesin e ri të BE-së.
“Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i rëndësishëm sepse pa të askush nuk mund të vazhdojë rrugën evropiane. Këtë muaj po takohemi me përfaqësuesin tonë special dhe po analizojmë se çfarë ka pasur sukses dhe çfarë jo, në mënyrë që të rikthehet vitaliteti i këtij procesi”, tha Kallas.
– “Lider i integrimit në BE”
Në vazhdim të vizitës ajo do të takohet edhe me presidentin malazez Jakov Milatoviq në Cetinje. Kallas do të zhvillojë gjithashtu një takim me ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së, do të bisedojë me përfaqësues të shoqërisë civile dhe do të prezantojë mbështetjen e Unionit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq falënderoi zyrtaren e lartë të BE-së, Kallas, për zgjedhjen e Malit të Zi si destinacionin e parë të vizitës rajonale dhe shtoi se pret mbështetje të vazhdueshme në rrugën evropiane.
“Ne jemi vendi lider në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe duam të vazhdojmë këtë ritëm të reformave. Viti i kaluar ishte më i suksesshmi në këtë proces dhe kjo është një bazë e mirë për të vazhduar”, tha Spajiq.
Ai shtoi se mezi po e pret konferencën ndërqeveritare që do të mbahet në Bruksel gjatë verës gjatë presidencës polake të Bashkimit Evropian.
“Mali i Zi nuk ka dilema. Bashkimi Evropian është rruga jonë strategjike dhe nuk ka absolutisht asgjë që do të na largonte nga ajo rrugë”, tha Spajiq dhe shtoi se Podgorica e konfirmoi angazhimin e saj evropian me votën e fundit në Kombet e Bashkuara, kur u harmonizua me votën e shumicës së vendeve të BE-së.
Duke përshëndetur iniciativën që i dha Malit të Zi gjashtë milionë euro për mbështetjen e mbrojtjes, Spajiq tha se mbështetja evropiane për armatosjen e Malit të Zi është gjithashtu jashtëzakonisht e rëndësishme.
Ai shtoi se harmonizimi i politikës së jashtme dhe të sigurisë me Bashkimin Evropian është imperativ për Malin e Zi, pavarësisht se kush është në pushtet.