Kalaja antike në Adiyaman të Turqisë hap dyert për vizitorët pas 17 viteve

E ndërtuar nga qytetërimi Komagene, Kalaja e Kahta-s magjeps vizitorët me pazarin, xhaminë, birucën dhe rrugët ujore të saj

Kalaja e lashtë e Kahta-s në provincën juglindore Adiyaman të Türkiye-s që daton nga periudha e Mbretërisë Komagene ka hapur dyert e saj për vizitorët pas 17 vjetësh.

E ndërtuar nga qytetërimi Komagene, Kalaja e Kahta-s magjeps vizitorët me pazarin, xhaminë, birucën dhe rrugët ujore të saj.

Kështjella, e cila mban gjurmët e tre qytetërimeve të rëndësishme në rrugën për në malin Nemrut, u mbyll për vizitorët në vitin 2005 për arsye sigurie. Puna restauruese në kala është përfunduar në tri faza.

“Kalaja e Kahta-s iu nënshtrua një periudhe të gjatë restaurimi. Si pjesë e një projekti, Rivitalizimi i Sektorit të Turizmit në Adiyaman, u ndërtua një tarracë xhami brenda kështjellës dhe u përfunduan shiritat e sigurisë në vendkalimet. Tani është duke pritur vizitorët”, tha për Anadolu Agency (AA) Mahmut Çuhadar, Guvernatori i Adiyaman-it.

“Kalaja e Kahta-s është një nga kështjellat historike të ruajtura më mirë në Türkiye. Kalaja ia vlen të shihet. Vizitorët tanë nuk do të pendohen. I mirëpresim turistët vendas dhe të huaj këtu”, shtoi Çuhadar.

Duke theksuar se Adiyaman-i është një “parajsë e fshehur” në sektorin e turizmit, ai tha se qyteti ka potencial turistik me burimet e tij të ndryshme nëntokësore dhe mbitokësore.

Drejtori i muzeut Mehmet Alkan tha se kalaja ka një pamje të mrekullueshme me bastionet e saj, strukturën e brendshme të pallatit, një dhomë lutjesh dhe një birucë.

“Ne kemi marrë të gjitha masat e sigurisë. Këtu presim vizitorët tanë vendas dhe të huaj”, tha Alkan.

Susanne Kalla, një vizitore nga Austria, tha se nuk mund ta vizitonte kështjellën tre vjet më parë, sepse ajo ishte e mbyllur për vizitorët.

“Unë jam një nga njerëzit më me fat në botë për të parë këtë kështjellë madhështore… Kam parë shumë kështjella, por ky vend është i ruajtur shumë mirë, më la shumë përshtypje,” tha ajo

Një vizitor francez, Emmanuel Juste, tha se ai është udhërrëfyes udhëtimi në qytetin e tij dhe se do të shtojë përshtypjet e tij për kështjellën në librin e tij të udhëtimit dhe do ta përditësojë atë.

Në Malin Nemrut në provincën Adiyaman gjendet gjithashtu mauzoleu i Antiohosit I (69-34 pes), i cili mbretëroi në Komagene, mbretëri e themeluar në veri të Sirisë dhe Eufratit pas rënies së perandorisë së Aleksandrit.Sipas UNESCO-s, “është një nga ndërtimet më ambicioze të periudhës helenistike”.

Kategoritë
BotaLajme