Kallas takon sot liderët e vendeve të Ballkanit, kjo është agjenda e takimeve

Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka ftuar për takim në Bruksel liderët e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Me ftesë të saj, i pranishëm sot në këtë takim në Bruksel do të jetë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. I pari i Qeverisë së Kosovës pritet të takohet edhe me Presidentin e ri të Këshillit të Evropës, Antonio Costa.

Sipas agjendës së publikuar në faqen zyrtare të BE-s, Presidenti i KE-së, Antonio Costa fillimisht do të pres në takim kreun e qeverisë shqiptare, Edi Ramën me fillim nga ora 16:00. Ndërsa nga ora 19:00 ai do të pres për takim Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Ndërkaq, në ora 20:00, sipas agjendës do të zhvillohet takimi me liderët e Ballkanit Perëndimor.

Në Bruksel prezent do të jetë edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i cili pak minuta më parë tha se e pret një ditë e vështirë, pasi do të ketë takime me të gjithë zyrtarët e sapoemëruar të BE-së.

akimet e ndara të Kallasit me Kurtin dhe Vuçiqin u konfirmuan nga zëdhënësja e BE-së për politikë të jashtme, Anita Hipper.

Kallas është shefja e re e politikës së jashtme dhe sigurisë së BE-së dhe së bashku me pjesën tjetër të komisionarëve të KE-së nisën mandatin më 1 dhjetor.

Hipper në një konferencë për media më 2 dhjetor u është përgjigjur pyetjeve lidhur me sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit më 29 dhjetor dhe për të ardhmen e dialogut Kosovë-Serbi.

Ajo përsëriti qëndrimin që BE-ja shprehu një ditë pas sulmit në Varragë të Zubin Potokut, duke e cilësuar sulmin si terrorist ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës dhe ftoi të gjithë që të bashkëpunojnë me autoritetet e Kosovës për të zbuluar kryesit e sulmit dhe që ata të përballen me drejtësinë.

Lidhur me takimet që do të zhvillojë Kallas në Bruksel, Hipper ka sqaruar se ato nuk do të jenë në kuadër të dialogut.

Kallas tani pasi ka marrë mandatin duhet të vendosë se si të vazhdohet me procesin e dialogut, i cili ka nisur më 2011.

Kurti dhe Vuçiq në Bruksel do të zhvillojnë edhe takime të ndara me presidentin e ri të Këshillit Evropian, Antonio Kosta. Më vonë ata do të marrin pjesë në një darkë joformale që Kosta do të organizojë me të gjithë udhëheqësit e rajonit të Ballkanit Perëndimor./Lajmi.net/

Kategoritë
BotaLajme