Kamberi: Koalicioni i shqiptarëve të luginës nuk është i interesuar të jetë në Qeverinë e Serbisë

Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik (PDD), Shaip Kamberi, në Beograd, pas konsultimeve me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se nuk është as interes dhe as prioritet që Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës të jetë pjesë e Qeverisë së Serbisë.

Kamberi u tha gazetarëve se shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë ende nuk janë integruar as në nivel lokal të institucioneve shtetërore e as në rajon.

Kërkesa jonë është që integrimet të nisin nga poshtë dhe jo nga maja e qeverisë”, tha Kamberi.

Ai po ashtu ka thënë se përfaqësuesit e asaj liste i kanë dorëzuar Vuçiqit kërkesën për përmbushjen e “planit shtatëpikësh” që, siç ka kujtuar ai, është miratuar nga Qeveria e Serbisë disa vite më parë.

Sipas tij, ai plan përmban çështje kyçe, si integrimi ekonomik i shqiptarëve, njohja e diplomave dhe të mos përdoren terma fyes ndaj Shqiptarëve.

Ai tha se këto janë çështje jetike dhe se pret përfshirjen personale të Vuçiqit në përmbushjen e tyre.

“Me ardhjen në konsultim kemi dashur të tregojmë konstruktivitet dhe dëshirë për të qenë partnerë në zgjidhjen e këtyre problemeve”, tha Kamberi.

Koalicioni i shqiptarëve të luginës përbëhet nga PDD-ja, Partia Demokratike dhe Lëvizja për Progres Demokratik dhe i mbledh shqiptarët nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja.

Në vitin 2013, Qeveria e Serbisë miratoi një plan lidhur me integrimin e shqiptarëve në institucionet e sistemit, zhvillimin ekonomik të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, si dhe një sërë çështjesh në fushën e drejtësisë, arsimit, kulturës dhe shëndetin.

Koalicioni i shqiptarëve të luginës do të ketë një deputet dhe siç ishte paralajmëruar më parë ai do të jetë Kamberi.

Vuçiq përmes bisedimeve me Koalicionin e Shqiptarëve të Luginës ka nisur konsultimet me partitë parlamentare për mandatin e ri të Qeverisë së Serbisë.

Kategoritë
LajmeRajoni