Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë se kur është fjala për respektimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, Serbia, nuk përfillë as rekomandimet që vijnë nga Brukseli.
Kamberi tha se në Raportin e Progresit të Serbisë për vitin 2024, në kapitullin për të drejtat e pakicave, Komisioni Evropian, veç çështjes së masivizimit, gjuhës së urrejtjes, theks të veçantë është vënë edhe në pozitën e nënpërfaqësimit të shqiptarëve në administratën publike dhe polici.
“Komisioni Evropian, me këtë rast, kërkon veprim të menjëherhshëm në përmbushjen e objektivave të “Planit aksional për integrimin e shqiptarëve”. Është fjala për një dokument të nënshkruar mes Këshillit kombëtar shqiptar, në krye me Ragmi Mustafin, OSBE-së, dhe Ministrisë për të drejtat e njeriut, të përkrahur nga Delegacioni i BE në Serbi dhe Këshilli Evropës për mes të cilit janë definuar hapat e integrimit të plotë të shqiptarëve në administratën publike e polici në periudhën 2022 – 2026, realizimi i të cilit, as tani, në fund të vitit 2024, nuk është filluar”.
“I vetëdijshëm për pengesat që Serbia i bën realizimit të këtij Plani, Komisioni Evropian në raportin të Progresit për 2024 ka shkruar duhet të fillojë “Zbatimi i planit të veprimit për përmirësimin e përfaqësimit të shqiptarëve në institucione duhet të përshpejtohet dhe të çojë në përmirësime të prekshme. Pakicat kombëtare mbeten të nënpërfaqësuara në administratën publike dhe policinë”, shkroi Kamberi, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, Kamberi tha se kur vjen puna të ndërmarrja e veprimeve konkrete në terren, qeveria serbe vepron në kundërshtim me rekomandimet e BE-së, teksa e përmendi rastin e fundit, atë të Gjykatës për kundërvajtje në Preshevë, në krye të së cilës, sipas tij, është emëruar një gjyqtare serbe, duke i injoruar gjykatësit shqiptarë.
“Në seancën e 28 nëntorit të këtij viti, në krye të Gjykatës për kundravjatje në Preshevë, komunë me mbi 95 % shqiptarë, Këshilli i Lartë i Gjyqësorit në Serbi, emëroi Aleksandra Kuzmanoviq, duke margjinalizuar kështu kuadrot shqiptare”.
“Gjykata themelore (komunale) në Preshevë është shuar më 2011, në kuadër të reformës së gjyqësorit me moton “Drejtësia më afër qytetarit). Vlen të përmendet se në Preshevë, po ashtu, UD i drejtorit të Shtëpisë së Shëndetit para dy viteve është emëruar një mjek nga komuniteti serb që përbëjnë vetëm 3% të popullatës së kësaj komune”, thuhet në reagim.