Kamberi: Serbët në Kosovë kanë të drejta të shumta, që shqiptarët në Serbi nuk i kanë

Kushdo që të jetë në pushtet në Kosovë, Serbia nuk ka asnjë ndikim, ka thënë Kamberi

Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik (PVD) nga Lugina e Preshevës dhe deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, tha sot se serbët në Republikën e Kosovës kanë të drejta të shumta të garantuara me Kushtetutë, si në përfaqësim parlamentar ashtu dhe në pushtet ekzekutiv, ndërsa shqiptarët dhe pakicat e tjera në Serbi nuk i kanë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në seancën e posaçme të Kuvendit të Serbisë për negociatat ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Kamberi ka theksuar se Kosova është e pavarur nga Serbia dhe se autoritetet serbe gjithçka që duan të arrijnë atje duhet ta bëjnë në marrëveshje me autoritetet lokale.

Kushdo që të jetë në pushtet në Kosovë, ka theksuar Kamberi, Serbia nuk ka asnjë ndikim.

Ai vlerësoi se marrëveshja përfundimtare ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është një nga sfidat më të vështira dhe shtoi se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është zgjedhur për të udhëhequr vendin dhe për të gjetur zgjidhje për çështjet më të vështira politike.

Ai tha se është obligim i Vuçiqit që ta udhëheqë Serbinë drejt zgjidhjeve që krijojnë perspektivë evropiane për ta.

Kamberi theksoi se përmirësimi i marrëdhënieve me “armikun e përjetshëm” kërkon aftësi për pajtim.

Ai theksoi se “nuk ka pajtim pa u përballur me të kaluarën”, prandaj Serbia ka nevojë për paqe me shqiptarët për të ardhmen e qytetarëve të saj dhe perspektivën e Ballkanit Perëndimor.

Kamberi iu drejtua Vuçiqit se si njeriu që udhëheq Serbinë, ai ka përgjegjësinë më të madhe t’u tregojë qytetarëve të Serbisë për Kosovën “të vërtetën dhe vetëm të vërtetën, e jo dëshirat boshe dhe ambiciet e papërmbajtura politike”.

Ai vlerësoi se nuk mund të priten rezultate pozitive nëse i përmbahemi qëndrimeve që janë produkt i “miteve të mesjetës” duke mohuar plotësisht realitetin aktual.

Kamberi më tej vlerësoi se në Serbi ende nuk ka atmosferë në të cilën dikush do t’u kërkojë falje shqiptarëve për atë që është bërë në Kosovë.

Ai theksoi se SHBA-ja e mbështet pa mëdyshje dialogun e Brukselit dhe tha se marrëveshja e fundit për dokumentet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës duhet të shfrytëzohet për të vazhduar dialogun deri në normalizimin përfundimtar të marrëdhënieve.

Kamberi theksoi se stabiliteti i Ballkanit Perëndimor lidhet me çështjen e normalizimit përfundimtar të marrëdhënieve dhe shtoi se pa progres në dialog, asnjë palë nuk mund të shpresojë për anëtarësim në BE.

Ai rikujtoi se SHBA-ja dhe BE-ja i kanë thënë Serbisë se çështja nuk është nëse do të shkojë në Lindje apo në Perëndim, por se ka vetëm një drejtim dhe se Serbisë i takon të vendosë sa shpejt dëshiron të arrijë atje.

Kamberi tha se ata që e shohin Serbinë të lidhur me “perandoritë lindore” po përpiqen të fitojnë pikë politike dhe nuk janë burrështetas, “ata po shkojnë drejt së ardhmes duke bërë hapa mbrapa” dhe nuk duan zgjidhje por vazhdimin e problemit.

Në fund konstatoi se zgjidhja nuk duhet kërkuar në “400 pistoletat e policëve serbë” në Kosovë.

Kategoritë
LajmeVendi