Kanada, fillon fushata e donacionit për Bayraktar TB2 për Ukrainën

Në fushatën e nisur synohet të mblidhen 7 milionë dollarë kanadezë për mjetet ajrore pa pilot Bayraktar TB2 të prodhuara nga kompania turke Baykar, që do të blihen për ushtrinë ukrainase.

Në Kanada filloi fushata e blerjes së dronit Bayraktar TB2 për t’u dorëzuar në Ukrainë.

Në fushatën e nisur nga organizata e ndihmës humanitare “UhelpUkraine” me qendër në Toronto, synohet të mblidhen 7 milionë dollarë kanadezë për mjetet ajrore pa pilot Bayraktar TB2 të prodhuara nga kompania turke Baykar, që do të blihen për ushtrinë ukrainase.

Sipas informacioneve në ueb-faqen e fushatës, deri më tani për fushatën janë dhuruar 12 mijë e 450 dollarë kanadezë.

Bayraktar TB2, i cili do të blihet me donacionet e mbledhura, synohet t’i dorëzohet ushtrisë ukrainase më 24 gusht, Ditën e Pavarësisë së Ukrainës.

Gjithashtu theksohet se ka më shumë se 1 milion ukrainas në Kanada dhe më tej thuhet se nëse të gjithë dhurojnë të paktën 7 dollarë kanadezë, mund të arrihet qëllimi prej 7 milionë dollarësh kanadezë.

“UhelpUkraine”, e cila u krijua për të ofruar ndihmë humanitare për ata që janë prekur nga lufta në Ukrainë, u jep drejtpërdrejt civilëve ndihmën e nevojshme në Ukrainë.

Fushata të ngjashme për të mbështetur ushtrinë dhe popullin ukrainas u nisën në Lituani, Poloni dhe Norvegji.

Kompania Baykar dhuroi 4 Bayraktar TB2 në përgjigje të fushatave në Ukrainë dhe Lituani dhe kontribuoi në solidaritet.

Kanadaja pezulloi shitjen e pjesëve të “SIHA” në Türkiye

Në tetor 2020, qeveria kanadeze duke përmendur përdorimin e mjeteve ajrore turke të armatosura pa pilot (SIHA) në operacionet kundër ushtrisë armene në Nagorno-Karabakh pezulloi shitjen e sistemeve të kamerave elektro-optike dhe infra të kuqe të shitura në Türkiye si pajisje të SIHA.

Në prill 2021, qeveria kanadeze njoftoi se kishte anuluar “lejet e eksportit ushtarak për Türkiye-n” që kishte pezulluar, duke përmendur përdorimin e teknologjisë kanadeze në Nagorno-Karabakh.

Kategoritë
BotaLajme