Kanadaja ndalon aktivitetet tregtare të TikTok-ut në vend

“Është e rëndësishme që qytetarët t’i kushtojnë vëmendje sigurisë së tyre kibernetike dhe të vlerësojnë rreziqet e mundshme”, tha ministri kanadez, Champagne.

Kanadaja ka ndaluar që TikTok-u të kryejë aktivitete tregtare në vend duke treguar si arsye “rreziqet e sigurisë”.

Ministri kanadez i Inovacionit, Shkencës dhe Industrisë, Francois-Philippe Champagne dha një deklaratë lidhur me platformën kineze të medias sociale TikTok.

Ai potencoi si arsye “rreziqet e sigurisë” dhe njoftoi se krahas ndalimit të aktiviteteve tregtare të TikTok-ut, do të mbyllen edhe zyrat e saj në Toronto dhe Vancouver.

Sipas tij, qytetarët kanadezë mund të vazhdojnë të përdorin aplikacionin dhe të prodhojnë përmbajtje. “Është e rëndësishme që qytetarët t’i kushtojnë vëmendje sigurisë së tyre kibernetike dhe të vlerësojnë rreziqet e mundshme të përdorimit të aplikacioneve të rrjeteve sociale”, tha Champagne.

Kreu i Inteligjencës kanadeze të Sigurisë (CSIS), David Vigneault në maj bëri thirrje që platforma e medias sociale TikTok të mos përdoret me arsyetimin se ishte një “kanal informacioni për qeverinë kineze”.

Kategoritë
BotaLajme