Kancelari Scholz kritikon zv/presidentin amerikan për ndërhyrjen në zgjedhjet gjermane

“Ne nuk do të pranojmë që të huajt të ndërhyjnë në demokracinë tonë, në zgjedhjet tona dhe në procesin e formimit të opinionit demokratik në favor të kësaj partie, veçanërisht jo miqtë dhe aleatët”, tha Scholz.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka kritikuar ashpër zv/presidentin amerikan, JD Vance, për fjalimin e tij në mbështetje të partisë së ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) dhe për akuzimin e qeverive për praktika antidemokratike, transmeton Anadolu.

“Ne nuk do të pranojmë që të huajt të ndërhyjnë në demokracinë tonë, në zgjedhjet tona dhe në procesin e formimit të opinionit demokratik në favor të kësaj partie, veçanërisht jo miqtë dhe aleatët. Ne e refuzojmë me vendosmëri këtë. Ne do ta përcaktojmë vetë të ardhmen e demokracisë sonë”, tha Scholz.

Scholz i dha këto komente në Konferencën e Sigurisë së Mynihut, një ditë pas fjalimit të diskutueshëm të zv/presidentit Vance, i cili tërhoqi kritike të përhapura.

Kritikat e zv/presidentit amerikan ndaj qëndrimit të qverive evropiane kundër partive të së djathtës ekstreme dje habitën shumë pjesëmarrës, pasi ai pretendoi se Evropa po braktisë “vlerat e përbashkëta demokratike”.

Vance pohoi se kërcënimi më i madh i Evropës nuk erdhi nga Rusia apo Kina, por nga brenda, duke theksuar atë që ai e quajti “tërheqje e Evropës nga disa nga vlerat e saj më themelore”. Ai gjithashtu akuzoi Komisionin e BE-së për kufizimin e lirive të mediave sociale dhe dënoi gjykatat evropiane për atë që ai pretendoi se është anulim i padrejtë i rezultateve të zgjedhjeve.

Pas fjalimit të tij, Vance u takua në Mynih me bashkë-kryetaren e AfD-së, Alice Weidel, duke shprehur mbështetje vetëm një javë para zgjedhjeve parlamentare të Gjermanisë më 23 shkurt, si dhe duke kryer një shkelje të normave diplomatike.

Gjatë fjalimit të tij të diskutueshëm në konferencën e sigurisë, Vance kritikoi qeverinë gjermane dhe partitë kryesore për qasjen e tyre ndaj AfD-së dhe për refuzimin e tyre për të bashkëpunuar me partinë ekstremiste të krahut të djathtë.

Organizatorët e konferencës në Mynih nuk e ftuan Weidel-in për shkak të pikëpamjeve antidemokratike të partisë së saj.

Kategoritë
BotaLajme