Qeveria gjermane njoftoi se Kancelari gjerman Olaf Scholz zhvilloi sot një bisedë telefonike me Presidentin rus Vladimir Putin.
Zëdhënësi i qeverisë gjermane tha se Kancelari Scholz i bëri thirrje presidentit rus të nisë bisedimet me Kievin për t’i hapur udhë “një paqeje të drejtë dhe të qendrueshme”, gjatë bisedës së parë mes dy udhëheqesve që prej dhjetorit të 2022, ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon.
Ndërkohë, një burim Presidenca ukrainase tha për agjencinë Reuters se Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskiy e paralajmëoroi Kancelarin Scholz të mos bisedonte me Presidentin rus Vladimir Putin, pasi një veprim i tillë do të të zbuste izolimin e udhëheqësit rus dhe do të zgjaste luftën. I njëjti burim tha se Kancelari Scholz, një aleat i ngushtë i Ukrainës gjatë luftës kundër Rusisë, e kishte njoftuar më herët Presidentin Zelenskiy mbi planet e tij për të biseduar me udhëheqësin rus.
“Kancelari e njoftoi Presidentin tonë mbi planet për të biseduar me Putinin. Presidenti i tha se kjo do të ndihmonte Putinin që të zbuste izolimin e tij. Putini nuk do paqe reale, por një rehabilitim (ndërkombëtar)”, tha burimi.
Gjatë bisedes që zgjati një orë, Kancelari Scholtz kërkoi tërheqjen e trupave ruse nga Ukraina dhe konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për Kievin, njoftoi zëdhënësi i qeverisë gjemane.
Ndërkohë, sipas një njoftimit të Kremlinit, Presidenti rus Putin tha se marrëveshjet e mundshme për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë duhet të mbajnë parasysh interesat e sigurisë së Rusisë, të bazohen “në realitetet e reja terrritoriale” si edhe të trajtojnë shkaqet që çuan në këtë konflikt”.
Berlini është mbështetësi kryesor fianciar dhe furnizuesi më i madh me armatime për Ukrainën, pas Shteteve të Bashkuara. Mbështetja e ardhshme nga Uashingtoni duket e pasigurt pas fitores së republikanit Donald Trump në zgjedhjet presidenciale./