Kandidatët për kryeministër hedhin votën, u bëjnë thirrje qytetarëve për dalje në zgjedhje

Katër kandidatët për kryeministër të Kosovës u kanë bërë thirrje qytetarëve që të votojnë në zgjedhjet parlamentare, në mënyrë që të vendosin se kush do të udhëheqë në katër vjetët e ardhshëm.

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, votoi në Fakultetin Ekonomik dhe u tha qytetarëve që të votojnë në mënyrë që zëri i tyre të dëgjohet.

Pas votimit kryeministri Kurti është deklaruar para mediave.

“Ditë e re dhe motivim për zgjedhjet e para të rregullta parlamnetare në Kosovë. Falënderoj qytetarët qe kanë votuar dhe inkurarjoj cdonjërin që të votoj. Votoni pëe ta bërë zërin tuaj të dëgjohet. Përdorni të drejtën e votës për të vendos për 4 vitet e ardhshme. Gëzuar”, tha ai.Bedri Hamza, kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës, votoi në Mitrovicë të Jugut.

Nga atje, ai përçoi mesazhin se qytetarët janë ata që vendosin sot.“Për mua çdo rezultat që votojnë qytetarët e Kosovës është i pranueshëm, jam optimist. Ka qenë një fushatë e gjatë, por jam i lumtur që gjatë gjithë kohës e kemi ruajtur pozitivitetin”, tha ai.

Ditë të mirë dhe të demokracisë e cilësoi 9 shkurtin kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, Lumir Abdixhiku.

Ai tha se qytetarët me votë sot vendosin për “fatin e tyre dhe të Republikës së Kosovës” për katër vjetët e ardhshëm.

“Sot është ditë e mirë, ditë e demokracisë. I ftoj të gjithë qytarët të marrinë pjesë në zgjedhje”, tha ai.

Ndërkaq, kandidati për kryeministër nga koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës-NISMA-Konservatorët, Ramush Haradinaj, pasi votoi në Prishtinë, ftoi të gjithë qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e votës.

“Dilni të votoni. Kosova ka nevojë për votën tuaj. Na priftë e mbara”, ka thënë Haradinaj,

Këto janë zgjedhjet e para të rregullta parlamentare që organizohen në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë më 2008.

Të drejtë vote, brenda dhe jashtë Kosovës, kanë mbi 2 milionë qytetarë.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi