Sot bëhen plot 11 vite nga aksidenti i rëndë i Michael Schumacher, piloti më i madh në historinë e Formula 1, gjatë skijimit në Alpet franceze, ndërsa gjendja e tij shëndetësore mbetet ende një mister i madh.
Shtatë herë kampioni i botës pësoi aksidentin më 29 dhjetor 2013, gjatë skijimit në Alpet franceze, duke goditur kokën në një shkëmb. Edhe pse mbante një helmetë skijimi, ai pësoi dëmtime të rënda në kokë.
Ajo ditë ishte fatkeqe në çdo aspekt. Schumacher e njihte terrenin si pëllëmbën e dorës, pasi ai dhe familja e tij kishin një shtëpi pranë pistave të skijimit, por tragjedia ndodhi pavarësisht gjithçkaje.
Ai u dërgua në spitalin në Grenoble, ku iu nënshtrua dy operacioneve dhe u vendos në koma të induktuar. Pesë muaj më vonë, ai u transferua nga reparti i kujdesit intensiv në atë të rehabilitimit, dhe në qershor 2014 u transferua nga Grenoble në Spitalin Universitar të Lausannës.
Në shtator të po atij viti, ai mbërriti në shtëpinë e tij në Gland të Zvicrës, një fshat i vogël buzë liqenit të Gjenevës.
Që atëherë, mediat vetëm spekulojnë për gjendjen e tij shëndetësore, ndërsa familja ka mbajtur një heshtje të plotë. Kështu, gjendja shëndetësore e Schumacherit është bërë një nga sekretet më të mëdha të sportit sot.
Më 3 janar, Michael do të mbushë 56 vjet, por familja e tij nuk ka arsye për të festuar, pasi jeta e tyre është përmbysur plotësisht. Megjithatë, shpresa për përmirësim të gjendjes së tij ende ekziston.
Gjatë karrierës së tij, Schumacher ka fituar shtatë tituj kampionë bote, një rekord, dhe 91 fitore. Dy titujt e parë i fitoi me Benetton (1994, 1995), ndërsa nga viti 2000 deri në fund të 2004-ës, fitoi pesë tituj radhazi me Ferrarin. Ai ka marrë pjesë në 308 gara Grand Prix dhe është ngjitur 155 herë në podium.
Përveç karrierës së tij madhështore, shtatë herë kampioni i Formula 1 ka një lidhje të veçantë me Sarajevën. Ai vizitoi kryeqytetin e Bosnjës dhe Hercegovinës për herë të parë në vitin 1996 dhe më pas në dhjetor të vitit të ardhshëm.
Ai erdhi në organizim të HOPE dhe UNICEF për të vizituar fëmijët e plagosur gjatë luftës në spitalin Koševo. Qëllimi i vizitës së tij ishte mbështetja e një projekti të UNESCO-s për mbledhjen e fondeve për një spital të specializuar për fëmijët e Sarajevës, viktima të bombardimeve dhe minave.
Për këtë arsye, Kuvendi i Kantonit të Sarajevës vendosi të riemërojë A transversalën, në zonën e komunës Novi Grad – MZ “Dobrinja A” dhe “Saraj-Polje”, në A transversala “Michael Schumacher”, si një mirënjohje për gjithçka që legjenda gjermane bëri për kryeqytetin e Bosnjës dhe Hercegovinës.